Peleshi do t’u prezantojë palëve edhe një draft për ndryshimin e shpejtë të Rregullores së Kuvendit, që do t’i hapë rrugë rikonceptimit të Komisioneve Parlamentare, sipas modelit të propozuar nga kryeministri Edi Rama në Asamblenë e Partisë Socialiste më 11 shtator, ku edhe zbuloi kabinetin e ri qeveritar.

Burime për gazetaren Esiona Konomi bëjnë me dije se Gazment Bardhi ka kundërshtuar skemën e propozuar nga Rama. Opozita nuk ka dhënë emra për krerët e komisioneve dhe organet e Kuvendit, por gjithsesi pritet që nesër të vendosë emrat nëpër poste, pavarësisht se ka kundërshtuar arkitekturën e komisioneve. PD ka protestuar për heqjen e Komisionit të Integrimit, dhe pretendon se në fakt nuk i janë dhënë 4 komisione, por një komision që opozita e ka mbajtur (Media dhe Edukimi) është ndarë në 3 pjesë dhe i janë shpërndarë opozitës.

 

Burime për gazetaren Raziela Myslimaj bëjnë me dije edhe emrat e kryetarëve të 7 komisioneve që do të drejtojë PS-ja. Gazetarja raporton se përveç komisioneve të përhershme, gjithashtu PS ka caktuar edhe drejtuesit për dy reforma që priten në vijim gjatë këti sesioni parlamentar: për Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknurin; për Komisionin e posaçëm për reformën territoriale, Arbjan Mazniku.

Mësohet gjithashtu se zëdhënëse e grupit parlamentar të PS është zgjedhur deputetja deputetja Erjona Ismajli.

KOMISIONET NËN DREJTIMIN E PS DHE EMRAT E KRYETARËVE:
Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat – Do të drejtohet nga Milva Ekonomi
Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike – Do të drejtohet nga Ulsi Manja
Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes – Do të drejtohet nga Bledi Çuçi
Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm – Do të drejtohet Anila Denaj
Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural – Do të drejtohet Blendi Klosi
Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme – Do të drejtohet nga Igli Hasani
Komisioni për Nismat qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen institucionale – Do të drejtohet nga Fatmir Xhafaj
KOMISIONET NËN DREJTIMIN E PD:
Komisioni për Edukimin, Shkencën dhe sportet
Komisioni për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale
Komisioni për Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik
Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën