U plakëm, dolëm në pension, shkuam te fëmijët tanë në Slloveni edhe që të mos rrimë edhe që t’i ndihmojmë ata. Pse shteti po na ndëshkon duke mos na dhënë pension si të gjithë të tjerëve, edhe ne kemi punuar dhe kemi paguar kontribute në Fondin Pensional gjithë jetën tonë? Kjo ankesë nga miqtë e tij ishte arsyeja se pse Temellko Ristovski, ish-profesor universitar i së drejtës kushtetuese e tani pensionist, këtë verë ngriti një iniciativë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e ndryshimeve në Ligjin për Sigurim Pensional dhe Invalidor– me të cilat shteti edhe pse i rriti pensionet këtë rritje nuk ua paguan pensionistëve që kanë shkuar të jetojnë jashtë vendit, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.
Me këtë atyre u mohohen paratë nga rritja e pensioneve nga 2.500 denarë në muajin mars të vitit 2025, si dhe rritjet e ardhshme nga harmonizimi i rregullt i pensioneve pas kësaj date.
Sipas ankesave të dorëzuara te Komisioni për mbrojtje nga diskriminimi bëhet fjalë për rreth 12.000 pensionistë që kanë fituar të drejtën për pension në Maqedoninë e Veriut, por që adresën e tyre të banimit e kanë regjistruar jashtë vendit.
Pensionistët që jetojnë jashtë vendit janë të detyruar të paraqiten në Fondin e Sigurimit Pensional dhe Invalidor (FSPI) një herë në vit. Në këtë mënyrë dihet se sa prej tyre nuk janë në vend.
Tre iniciativa drejtuar Gjykatës Kushtetuese, asnjë vendim
Krahas iniciativës së dorëzuar nga Ristovski, në adresë të Gjykatës Kushtetuese për të njëjtën gjë janë dorëzuar edhe dy iniciativa të tjera.
Është formuar lënda, por ende nuk është marrë një vendim, u përgjigjën nga Gjykata Kushtetuese për Radion Evropa e Lirë (REL).
E përderisa pritet vendimi i gjykatës Komisioni për Mbrojtjen nga Diskriminimi më 7 nëntor konstatoi se ndaj këtyre pensionistëve është bërë diskriminin indirekt.
Në vitin 2024 kur Qeveria bëri ndryshime të Ligjit për Sigurim Pensional dhe Invalidor për t’i rritur pensionet për 2.500 denarë kjo gjë u arsyetua si një masë për mbrojtjen e standardit të pensionistëve dhe për ruajtjen e fuqinë të tyre blerëse në kushte të rritjes enorme të çmimeve.
Pas këtij ndryshimi që parasheh një rritje lineare të pensioneve një vit më vonë, në vitin 2025, u bë edhe një ndryshim tjetër me ç’rast u ndryshua neni 37 dhe u shtua kushti “pensioni të paguhet në Republikën e Maqedonisë së Veriut”.
Komisioni për Mbrojtjen nga Diskriminimi konstatoi se edhe pse në shikim të parë kushti duket neutral (nuk bën dallim sipas shtetësisë, përkatësisë etnike, etj.), ai de facto i ndan pensionistët sipas vendbanimit të tyre.
“Me këtë pensioni i tyre bëhet më i ulët se pensioni i një personi me të njëjtin stazh pune dhe të njëjtën shumë bazë vetëm për shkak të vendit të ndryshëm të pagesës. Organet kompetente nuk e kanë shqyrtuar arsyetimin, as nuk kanë dhënë shpjegim për atë se cili ishte qëllimi i shtetit për përjashtimin e këtij grupi të pensionistëve”, ka konstatuar Komisioni.
Ankesa në Komisionin për Mbrojtjen nga Diskriminimi u dorëzua nga një pensioniste që punonte në kopshtin e fëmijëve “8 Marsi” në Shkup dhe bashkëshorti i saj, një ish-punonjës i Teatrit Kombëtar të Maqedonisë (TKM). Ata janë të mendimit se shteti po i diskriminonte për shkak të vendbanimit të tyre.
Pas kësaj një ankesë tjetër u dorëzuar edhe nga një pensionist që jetonte në Slloveni.
A do të ndryshohet përsëri ligji?
Rritja e pensioneve për muajin mars u pagua në 1 prill të vitit 2025, ndërsa ndryshimet në Ligjin për Sigurimin Pensional dhe Invalidor u publikuan në Gazetën Zyrtare shtatë ditë më vonë, pra më 8 prill.
Kjo do të thotë se në kohën e pagesës ligji i ri nuk ishte në fuqi ndërsa sipas Komisionit nuk mund të zbatohet në mënyrë retroaktive sepse retroaktiviteti është në kundërshtim me Kushtetutën.
Ristovski në ankesën e tij drejtuar Gjykatës Kushtetuese pretendon se kjo krijon pabarazi mes pensionistëve dhe e kufizon të drejtën e tyre për lëvizje.
“Nuk ka dyshim se dispozita është diskriminuese ndaj njerëzve që kanë jetuar dhe punuar në Maqedoni gjatë gjithë jetës së tyre. Nuk ka logjikë,” tha Ristovski.
Ndryshimet e ligjit u propozuan nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, ndërsa Kuvendi i votoi ato më 1 prill.
Nga Ministria nuk u përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për atë nëse ligji do të ndryshohej përsëri për ta eliminuar diskriminimin ndaj këtyre pensionistëve, siç u rekomandoi Komisioni për Mbrojtje nga Diskriminimi.
Rekomandimi i Komisionit është që Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Qeveria dhe Kuvendi brenda 180 ditëve të marrin masa për t’i ndryshuar nenet e Ligjit për Sigurimin Pensional dhe Invalidor që shkaktojnë trajtim të pabarabartë të pensionistëve që nuk jetojnë në Maqedoninë e Veriut.
Por, paraprakisht në një përgjigje drejtuar Komisionit për Mbrojtje nga Diskriminimi nga Ministria kompetente kanë theksuar se ligjvënësi gjatë miratimit të zgjidhjes ligjore është udhëhequr nga nevoja për ta mbrojtur vlerën e pensionit nga pasojat e inflacionit dhe rritja e çmimeve me të cilat përballen pensionistët që jetojnë në Maqedoninë e Veriut. Për këto arsye, në Ministria nuk kanë menduar se po bëhej diskriminim ndaj atyre që jetojnë jashtë vendit.
Nga FSPI u përgjigjën se ata vetëm po zbatojnë ligjin.
Përndryshe ky problem u theksua që në fund të muajit mars të këtij viti, gjatë miratimit të ndryshimeve ligjore në Kuvend. Me ndryshimet e atëhershme pensionistët që jetonin në diasporë mbetën pa pjesën e dytë të rritjes së premtuar nga VMRO-DPMNE-ja para zgjedhjeve të fundit parlamentare në maj të vitit 2024.
Sipas të dhënave të FSPI në muajin shtator në Maqedoninë e Veriut ka pasur 347.352 pensionistë. Pensioni mesatar i paguar ka qenë 27.189 denarë. Më të shumtët (rreth 250.000 pensionistë) janë përfitues të pensioneve të pleqërisë.
Të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) tregojnë se mbi një e pesta e popullsisë së Bashkimit Evropian është mbi 65 vjet, një shifër që pritet të arrijë një të tretën deri në vitin 2050. Për t’u përballur me shpenzimet në rritje të pensioneve disa vende të BE-së kanë njoftuar ndryshime në sistemet e tyre pensionale, duke përfshirë këtu edhe rritjen e moshës së pensionimit.