Pjesa ku duhet të lidhet qarkorja në Neproshten me rrugën rajonale Tetovë – Jazhincë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk (nëntor 2025)
Share
Afati për përfundimin e ndërtimit të qarkores së Tetovës është shtyrë për herë të dytë, ndonëse kjo rrugë duhej të ishte gati fillimisht në maj dhe pastaj në fund të tetorit, e njëjta nuk është përfunduar, afati i përfundimit është zgjatur për në maj 2026, shkruan Portalb.mk.
Ndonëse në shkurt 2024 u promovua me shumë vrull nga funksionarët qeveritarë dhe partiakë, punimet në terren për qarkoren e Tetovës nuk ecën në të njëjtën formë.
Afati i punimeve aso kohe u tha se ishte 15 muaj dhe pritej që në maj 2025 të lëshohej në përdorim.
Por, një vit më vonë, në mars 2025 u njoftua se afati i përfundimit të punimeve u shty për në tetor 2025.
Megjithatë, as kjo nuk u realizua sipas premtimeve.
Nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore konfirmuan për Portalb.mk se afati i përfundimit të ndërtimit është zgjatur për në maj 2026.
“Për shkak të shpronësimit të pazgjidhur, Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore po zhvillon disa procedura që janë në procedurë, por si dhe për shkak të mangësive të zbuluara në dokumentacionin e projektit, afati për përfundimin e ndërtimit është zgjatur deri më 01.05.2026”, thanë nga NP “Rrugët Shtetërore”.
Nëse ky projekt do të përfundojë në këtë afat, i bie që të përfundojë fiks një vit më vonë nga se u premtua fillimisht.
LEXO: U shty afati për qarkoren e Tetovës: Faza e parë pritet të përfundojë në tetor, u miratua faza e dytë
Kujtojmë se premtimet për fillimin e punëve për këtë qarkore janë shkelur disa herë.
Qarkorja planifikohet të ndërtohet nga fshati Trebosh dhe të del në fshatin Neproshten në rrugën rajonale Tetovë – Jazhincë, e njëjta lidhet edhe me autostradën Tetovë-Shkup.
Qarkorja e Tetovës nga Treboshi në Neproshten. Foto e edituar nga Portalb.mk
Qarkorja e Tetovës nga Treboshi në Neproshten. Foto e edituar nga Portalb.mk
Rruga pritet të jetë e gjatë 5.4 kilometra me gjerësi 6.6 metra. Gjithashtu është e planifikuar për tërë gjatësinë e rrugës së qarkores në të dy krahët e rrugës të ketë rrugë ndihmëse të tamponuara të servisuara për mjetet të cilat merren me bujqësi me gjerësi prej 3 metra.
Kjo rrugë pritet të lehtësojë komunikacionin për banorët e komunave Tetovë, Tearcë, Zhelinë, Jegunovcë të cilët nuk do duhet të futen në Tetovë për t’u lidhur me rrugë të tjera rajonale.
Në vitin 2019 kryetarët e komunave Tetovë, Tearcë, Jegunovcë dhe Zhelinë kërkuan ndërtimin e qarkores në hyrje që Tetovës.