Ministret e Arsimit të Shqipërisë dhe Kosovës, Manastirliu-Nagavci vlerësuan 84 nxënësit finalistë të Olimpiadës së Përbashkët Shqipëri- Kosovë
10 Prill, Tiranë- Është mbajtur për herë të parë Olimpiada e Përbashkët e Gjuhës Shqipe, Shqipëri- Kosovë, ku morën pjesë mbi 16 mijë nxënës të klasave të nënta në të dy vendet, për njohuritë e tyre mbi gjuhën dhe letërsinë shqipe.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu dhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci kanë vlerësuar 84 nxënësit finalistë të Olimpiadës së Përbashkët Shqipëri- Kosovë, të cilët u shpallën fitues pas 3 fazave të para të olimpiadës.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, nënvizoi se në këtë ditë Shqipëri-Kosovë bëhen bashkë për të festuar gjuhën shqipe, që është thelbi i identitetit të kombit shqiptar, duke nisur kështu një traditë që do të vazhdojë në vite.
“Sot është vërtet një ditë e bukur, pas një pune intensive të bërë nga të dy Ministritë e Arsimit, tashmë jemi në fazën finale të Olimpiadës së Përbashkët të Gjuhës Shqipe mes Shqipërisë dhe Kosovës. Jam vërtetë e kënaqur që pas përpjekjesh disa mujore ne ia kemi dalë që të përfundojmë një nismë të rëndësishme, e cila do të kthehet në një traditë të bukur, brez pas brezi, vit pas viti. Ne do të jemi së bashku në bashkëpunime që jo vetëm afrojnë nxënësit, brezat, na afrojnë së bashku Shqipëri- Kosovë, por ruajnë edhe për vlerat tona të përbashkëta sikurse është edhe gjuha jonë e bukur shqipe”, tha ministrja Manastirliu.
Ministrja Manastirliu ka përgëzuar nxënësit pjesëmarrës të dy vendeve dhe ka shprehur vlerësimin e saj për mësuesit e gjuhës shqipe, për angazhimin e tyre në këtë olimpiadë të përbashkët.
“Ne e kemi marrë këtë nismë përsipër ku janë angazhuar rreth 16 mijë nxënës në të dy vendet, të klasave të nënta, ku kanë kaluar tre faza të olimpiadës për gjuhën Shqipe. Kemi parë se si jeni përgatitur me mësuesit tuaj dhe kemi tashmë 84 nxënësit që janë pjesë e fazës finale të olimpiadës të parë të gjuëhs shqipe mes Shqipërisë dhe Kosovës”, tha ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu.
Ministrja Arbërie Nagavci ka vlerësuar organizimin e Olimpiadës së Përbashkët të Gjuhës Shqipe për të lartësuar gjuhën shqipe.
“Ky aktivitet kaq i bukur ka dy qëllime kryesore, e para të intesifikojmë bashkëpunimin mes dy ministrive tona në fushën e arsimit dhe të krijojmë mundësi që nxënës nga Kosova e Shqipëria të jenë në aktivitete të përbashkëta dhe synimi kryesore ështe të vazhdojmë të punojmë për të lartësuar gjuhën e bukur shqipe. Jam e lumtur që jeni bërë pjesë e kësaj gare, të gjithë jeni fitues”, tha ministrja Nagavci.
Janë 84 nxënës nga të dy vendet që kanë kaluar me sukses 3 fazat e para të olimpiadës së përbashkët të dy vende të cilët kanë marrë certifikatat për njohuritë e tyre mbi gjuhën dhe letërsinë shqipe. Rreth 16 mijë nxënës nga Shqipëria e Kosova morën pjesë në këtë olimpiadë prej fazës së parë.
Bashkëpunimi në këtë Olimpiadë të Përbashkët mes Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës ka si qëllim mbrojtjen dhe promovimin e gjuhës, kulturës dhe traditave tona dhe forcimin e identitetit kombëtar.