Në videon që ai shpërndau në rrjetet sociale, përfshihet edhe fjalimi i tij ku i kërkoi presidentit amerikan, Donald Trump, të bëjë diçka lidhur me procesin gjyqësor të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
“MIRËMËNGJES dhe me këtë videokartolinë të takimit të Bordit të Paqes, ku mund të gjeni versionin origjinal të fjalës në emër të Shqipërisë, ju uroj një ditë të mbarë”, ka shkuar kryeministri shqiptar në facebook.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalën e tij në takimin e Bordit të Paqes ka ftuar presidentin e SHBA-së, Donald Trump, që të veprojë lidhur me zhvillimet në Gjykatën Speciale përpara se të jetë vonë.
Rama ka thënë se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ishte parandaluar për të nënshkruar marrëveshjen e Washingtonit nga prokurori Jack Smith, i cili iu vu pas edhe vetë presidentit amerikan.
Kryeministri shqiptar tutje ka thënë se tashmë Thaçi po i bën gjashtë vite në burg të një gjykate që sponsorizohet nga disa shtete demokratike, që sipas Ramës ato duhet të jenë të turpëruara nga një lloj i tillë i drejtësisë ndërkombëtare.
“Presidenti i Kosovës atëherë u pengua brutalisht të udhëtonte drejt Shtëpisë së Bardhë për ta nënshkruar atë marrëveshje në prani të Presidentit Trump. Dhe kjo ishte vepër e po atij prokurori “sicario” që kishte shkuar edhe pas vetë Presidentit Trump dhe për këtë u bë i famshëm në mbarë botën”, ka thënë Rama.