Zëvendëskryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai ditëve të fundit ka vepruar në kundërshtim me atë që përfaqëson, përkatësisht, praktikat e qeverisjes së mirë. Ai përmes emailit të tij zyrtar, në vend se të informojë për zhvillimet në institucionin që ai drejton, ka lëshuar disa herë kumtesa që lidhen me aktivitetet partiake të Aleancës për Shqiptarët nga ku edhe është shkarkuar. Megjithatë ai, sërish thirret në funksionet e njëjta edhe pas shkarkimit, duke dërguar komunikata informative për partinë, raporton Portalb.mk.
Një mënyrë e tillë e të vepruarit, hap shqetësime serioze për përdorimin e burimeve shtetërore për promovim politik, praktikë që bie ndesh me parimet e qeverisjes së mirë dhe ndarjes së shtetit nga partitë politike.
Përdorimi i emailit zyrtar për komunikime që kanë natyrë partiake dhe jo institucionale, mund të përbëjë shkelje të etikës së administratës publike dhe të normave ligjore për ndarjen e funksioneve shtetërore nga aktivitetet politike.
Dy nga disa emaile partiake të dërguara nga posta elektronike zyrtare e Fetait press.cabinetarbenfetai@gs.gov.mk janë:
Ju ftojmë të merrni pjesë në konferencën për media të Këshillit Koordinues të Aleancës për Shqiptarët, e cila do të drejtohet nga Kryetari i Kuvendit të ASH-së, njëherit edhe zëvendëskryeministër Arben Fetai.
Zëvendëskryeministri Arben Fetai, konfirmon mbështetjen nga strukturat rinore të Aleancës për Shqiptarët
Kumtesë e Arben Fetai për vendimin e deputetes Mimoza Musa
Mesazh për aktivistët dhe përkrahësit e Aleancës për Shqiptarët i Zv.KM Arben Fetai
Fetai, edhe pse i shkarkuar nga kjo pozitë, ai i referohet vetes si kryetar Kuvendi, që në një formë a në tjetrën aludon në një Alenacë të tretë për Shqiptarët.
Redaksia jonë ka dërguar pyetje në kabinetin e zëvendëskryeministrit Fetai, për të sqaruar se:
Mbi çfarë baze përdoret emaili zyrtar i qeverisë për dërgimin e njoftimeve partiake?
Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga kabineti i tij.
Po ashtu, kemi adresuar pyetje edhe në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), për të komentuar nëse ky veprim mund të përbëjë shkelje dhe nëse do të ndërmerret ndonjë veprim, por as nga ky institucion ende nuk kemi marrë përgjigje.
Sipas standardeve të qeverisjes së mirë, administrata publike duhet të jetë politikisht neutrale, dhe përdorimi i mjeteve publike (si email-et, zyret apo resurset shtetërore) për qëllime partiake, përbën keqpërdorim të pozitës publike zyrtare.
Kodet Etike ndalojnë qartë përzierjen e funksioneve shtetërore me promovimin politik.
Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, raste të ngjashme ka pasur edhe me ish-funksionar të tjerë.
Dikur, ish-zëvendëskryeministri dhe ministri Artan Grubi shfrytëzonte zyrat e ministrisë për të mbajtur aktivitete partiake, ndër të cilat edhe organizime të takimeve të ndryshme partiake të liderit të partisë Ali Ahmeti po në hapësirat e ministrisë.
Zëvendëskryeministrja e atëkohshme Sllavica Gërkovska i dërgoi paralajmërim që të mos i keqpërdor zyrtar e ministrisë për sistem politik, për qëllime dhe aktivitete partiake.
Kabineti i ish-zëvendëskryeministres për krijimin e politikave të mira, Sllavica Gërkovska më herët kishte shqiptuar paralajmërime për shkelje të kodit etik edhe ndaj ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, për të cilin kishte konstatuar se e ka shfrytëzuar veturën zyrtare të ministrisë për aktivitete partiake dhe zgjedhore, ndërsa Komisioni për Anti Korrupsion kishte konstatuar se në Ministrinë e Jashtme nuk kishte as raport dhe evidencë përkatëse për shfrytëzimin edhe të naftës në veturat zyrtare.
Ish-zëvendëskryeministrja Sllavica Gërkovska deklaroi se kodi etik dhe moral për funksionarët në vend nuk luan rol të rëndësishëm. Ajo theksoi se disa funksionarë më të lehtë e kanë të paguajnë gjoba se sa të respektojnë vlerat etike dhe morale në shtet dhe shoqëri.