Skiatorja Lara Colturi e cila përfaqësoi Shqipërinë në Lojërat Olimpike Dimërore ‘Milano Cortina 2026’, ka ndarë me ndjekësit e saj emocionet e para pas pjesëmarrjes në eventin më të madh të sporteve dimërore.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, italo-shqiptarja Colturi e cilësoi eksperiencën olimpike si një ‘udhëtim të jashtëzakonshëm’, duke theksuar krenarinë për paraqitjen e saj dhe përkushtimin maksimal në çdo moment të garës.
“Kam dhënë 110 % nga vetja dhe jam thellësisht krenare për atë që kam bërë. E di që ka ende hapësirë për t’u përmirësuar, por mënyra se si luftova në këto dy gara do të mbetet gjithmonë me mua”, u shpreh skiatorja, duke nënvizuar se debutimi olimpik është një kujtim që do ta mbajë përgjithmonë pranë zemrës.
Ajo veçoi edhe emocionet e kalimit të vijës së finishit dhe mbështetjen e publikut, të cilën e përshkroi si një moment të veçantë dhe të paharrueshëm.
Në mesazhin e saj, Colturi falënderoi në mënyrë të veçantë prindërit dhe ekipin që e ka shoqëruar në këtë rrugëtim, duke theksuar se dashuria për skijimin është një pasion i trashëguar prej tyre dhe një motivim për të ardhmen.
Lara u rendit e 16-ta në Slalomin Gjigant dhe e 10-ta në disiplinën e Slalomit.
Mesazhi i plotë:
“Këto Lojëra Olimpike kanë qenë një udhëtim i jashtëzakonshëm dhe po marr me vete kaq shumë përvoja pozitive. I kam kushtuar gjithë zemrën çdo momenti dhe jam thellësisht krenare për atë që kam bërë. E di që dhashë 110 % të vetes dhe gjithashtu e di që ka ende fusha ku mund të rritem. Por mënyra se si jetova dhe luftova në këto dy gara do të mbetet me mua përgjithmonë, Lojërat e mia të para Olimpike do të jenë gjithmonë një kujtim që e mbaj afër zemrës sime.
Kalimi i vijës së finishit dhe ndjerja e dashurisë dhe energjisë nga njerëzit atje ishte diçka vërtet e veçantë.
Dua të falënderoj veçanërisht prindërit e mi. Ata i kanë kushtuar kaq shumë kohë nga jeta e tyre kësaj rruge, skijimit, pasionit të tyre dhe më kanë transmetuar këtë dashuri të jashtëzakonshme për një sport që e çmoj shumë. Do ta mbaj këtë pasion në zemrën time dhe do të vazhdoj ta ushqej zjarrin që më digjet brenda.
Një falënderim i veçantë për të gjithë ekipin tim, Andrea Vianello, Martino Delleani, Andrea Cappelletti, Luisa Finotti, Claudio Ravetto, Alessandro Schiasselloni, gjyshërit e mi, familjen time dhe miqtë e mi që më kanë qëndruar pranë në çdo hap të këtij udhëtimi. Mbështetja juaj do të thotë më shumë sesa mund të shprehin fjalët”, shkruan Lara Colturi.