Sipas mediave udhëheqësit evropianë shpresojnë që diskutimet e sotme kanë formësuar pikëpamjen e Trump përpara takimit të tij të premten në Alaska me presidentin rus Vladimir Putin.
Pas bisedimeve Zelensky tha për mediat se do të donte të shihte sanksione të mëtejshme ndaj Rusisë nëse Kremlini nuk pranon një armëpushim.
Më tej lideri ukrainas nënvizon gjithashtu se suksesi varet nga rezultati i negociatave, teksa thekson se partnerët e Ukrainës demonstruan “një zë drejt një misioni”.
Kancelari gjerman Merz, propozoi që “së pari të arrihet armëpushimi dhe më pas një marrëveshje kornizë.
Presidenti francez Emmanuel Macron pas videokonferencës tha se objektivi i parë i Trump në takimin me Putinin është të bëjë thirrje për armëpushim.
Macron shtoi se iniciativa “mbështetet” nga Franca teksa theksoi gjithashtu se “shkëmbimi i territoreve” duhet të diskutohet me Kievin.
Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen tha se diskutimet ishin pozitive, teksa theksoi se Europa, Shtetet e Bashkuara dhe NATO kanë forcuar terrenin e përbashkët për Ukrainën.
Mbretëria e Bashkuar ka riafirmuar mbështetjen e saj “të palëkundur” për Ukrainën, duke përjashtuar ndryshimin me forcë të kufijve të Kievit.
“Kufijtë ndërkombëtarë nuk duhet të ndryshohen me forcë dhe Ukraina duhet të ketë garanci të forta dhe të besueshme sigurie për të mbrojtur integritetin e saj territorial si pjesë e çdo marrëveshjeje”.
Presidenti amerikan tha javën e kaluar se mund të ketë “disa shkëmbime territoresh në dobi të të dyjave” Rusisë dhe Ukrainës, duke shkaktuar shqetësim në Kiev dhe në të gjithë Evropën se Moskës mund t’i lejohet të ‘rivizatojë’ kufijtë e Ukrainës. Samiti, raportohet se për arsye sigurie do të mbahet në bazën ushtarake Elmendorf-Richardson.
Rusia aktualisht kontrollon pak më pak se 20% të territorit të Ukrainës, nuk ka dalë asnjë detaj zyrtar se çfarë kërkesash mund të bëjë Putini kur të takohet me Trumpin.
Britania: Mbështetje e palëkundur për Ukrainën, jo ndryshimit të kufijve me forcë
Mbretëria e Bashkuar ka riafirmuar mbështetjen e saj “të palëkundur” për Ukrainën, duke përjashtuar ndryshimin me forcë të kufijve të Kievit, thuhet në një deklaratë të lëshuar nga zëdhënësi i kryeministrit britanik Keir Starmer .
Në deklaratë thuhet gjithashtu se udhëheqësit “ranë dakord se kjo javë shënon një moment të rëndësishëm për të ardhmen e Ukrainës” dhe falënderuan Donald Trump “për përpjekjet e tij për të sjellë Putinin në tryezën e negociatave për një armëpushim për t’i dhënë fund gjakderdhjes së vazhdueshme.
Mbretëria e Bashkuar konfirmoi se Evropa është e gatshme të mbështesë këtë iniciativë dhe do të vazhdojë të punojë së bashku me Trump dhe Presidentin Volodymyr Zelensky për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë.
Videokonferenca midis udhëheqësve europianë me Trump dhe Zelenskyn, Von der Leyen: Patëm diskutime pozitive me presidetin amerikan
Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen pas videokonferencës së zhvilluar me udhëheqës të Europës, Volodymyr Zelenskyn dhe Donald Trump tha se diskutimet ishin pozitive.
“Patëm diskutime pozitive me Presidentin e SHBA-së Donald Trump, Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe udhëheqës të tjerë evropianë”, shkroi Presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen në X.
Ajo gjithashtu theksoi se përpara samitit të së premtes në Alaska, ‘Europa, Shtetet e Bashkuara dhe NATO kanë forcuar terrenin e përbashkët për Ukrainën.
“Ne do të mbetemi në koordinim të ngushtë, askush nuk dëshiron paqe më shumë se ne, një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, shtoi ajo.
Trump: Do të flas me evropianët, janë njerëz fantastikë që duan të arrijnë një marrëveshje
Presidenti amerikan, Donald Trump ka reaguar për bisedën virtuale që do të mbajë me udhëheqësit evropianë dhe Volodymyr Zelenskyn.
“Do të flas me udhëheqësit evropianë së shpejti. Ata janë njerëz të shkëlqyer që duan të shohin një marrëveshje të arritur.”, ka shkruar Trump në Truth Social.