Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësim të thellë për punësimet e fundit në hidrocentralin Mavrovë – Vërtok, ku janë angazhuar 12 persona të rinj dhe asnjë prej tyre nuk është shqiptar, ndonëse ky hidrocentral ndodhet në zonën e Gostivarit, ku shqiptarët përbëjnë shumicën e popullsisë.
Ky vendim paraqet një shembull të qartë të përjashtimit etnik në institucionet publike dhe shkon në kundërshtim me frymën e përfaqësimit të drejtë, për të cilën është ndërtuar modeli institucional i shtetit.
Një qasje e tillë, përveçse dëmton ndjeshëm besimin qytetar, e rrezikon kohezionin ndëretnik dhe komprometon parimet themelore të funksionimit demokratik dhe shumëetnik të shtetit.
BDI thekson se ky nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një tendence sistematike për spostimin e qytetarëve shqiptarë nga pjesëmarrja në institucionet shtetërore, për çka kemi ngritur shqetësime të përsëritura në muajt e fundit.
I bëjmë thirrje Avokatit të Popullit të ndërmarrë menjëherë procedurat e nevojshme për vlerësimin e e kësaj gjendje provokuese si dhe të konstatojë nëse ka pasur shkelje të të drejtave për përfaqësim të barabartë dhe mosdiskriminim.
U drejtohemi gjithashtu përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare në vend, që me vëmendje të ndjekin këto zhvillime shqetësuese, të cilat bien ndesh me angazhimet për ndërtimin e një shteti gjithëpërfshirës, të drejtë dhe funksional.
BDI do të vazhdojë të angazhohet në mënyrë të palëkundur për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve shqiptarë, për respektimin e barazisë dhe ruajtjen e karakterit shumetnik të institucioneve në Republikën e Maqedonisë së Veriut.