Përmbyllet stërvitja ‘Defender 2025’/ Ministri Vengu nga Biza u shpreh mirënjohjen Forcave të Armatosura
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, së bashku me komandantët kryesorë të Forcave të Armatosura, ndoqën nga afër fazën përmbyllëse të stërvitjes shumëkombëshe ‘Defender 2025’ në rajonin e Bizës, duke vlerësuar profesionalizmin dhe bashkëpunimin e trupave. Gjatë vizitës, u prezantuan rezultatet dhe mësimet e nxjerra nga stërvitja, ndërsa përmbyllja u shoqërua me një drekë të përbashkët si shenjë respekti për efektivët e angazhuar.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, zhvilloi një vizitë në rajonin stërvitor të Bizës, me rastin e përmbylljes së stërvitjes shumëkombëshe “Defender 2025”. Ministri Vengu u shoqërua nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjenerallejtënant Arben Kingji, Komandanti i Forcës Tokësore, gjeneralmajor Ilir Xhebexhia, Komandanti i Forcës Ajrore, gjeneralmajor Ferdinant Dimo, si dhe Drejtori i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralbrigade Ardian Lilo.
Gjatë vizitës, Ministri i Mbrojtjes dhe drejtuesit e tjerë të lartë të FA-së ndoqën nga afër demonstrimet taktike dhe angazhimin e trupave të përqendruara në terren, në kuadër të fazës përmbyllëse të stërvitjes.
Në vijim, gjeneralbrigade Lilo informoi Ministrin përmes një prezantimi gjithëpërfshirës mbi të gjitha aspektet e “Defender 25”, duke përfshirë fazën përgatitore, konferencat planifikuese, pjesëmarrjen ndërkombëtare, objektivat strategjike, kapacitetet e angazhuara si dhe mësimet e nxjerra nga zhvillimi i saj.