Më shumë se 50,000 njerëz dolën në rrugët e qytetit lindor të Valencias të shtunën, për të shënuar përvjetorin e parë të përmbytjeve shkatërruese të vitit të kaluar dhe për të protestuar kundër mënyrës se si autoritetet menaxhuan katastrofën.
Demonstruesit, shumë prej të cilëve mbanin fotografi të viktimave, i bënë thirrje udhëheqësit rajonal Carlos Mazón që të japë dorëheqjen, duke e akuzuar për reagim të ngadaltë dhe neglizhencë ndaj një prej fatkeqësive më vdekjeprurëse që ka goditur Evropën në dekadat e fundit.
“Njerëzit janë ende shumë të zemëruar. Pse nuk u evakuuan njerëzit? Është e pakuptueshme”, tha Rosa Cerros, një nëpunëse publike 42-vjeçare që mori pjesë në marshim me familjen e saj.
Sipas raportimeve, administrata e Mazonit nuk dërgoi alarme paralajmëruese për përmbytje në telefonat celularë deri në orën 20:11 të mbrëmjes më 29 tetor 2024, ndonëse agjencia kombëtare e meteorologjisë kishte lëshuar nivelin më të lartë të alarmit më shumë se 12 orë më parë.
Në atë kohë, uji kishte përmbytur tashmë rrugët dhe shtëpitë në shumë zona të Valencias. Përmbytjet prekën 78 komuna, kryesisht në jug të qytetit, duke shkaktuar 229 viktima, shumica të moshuar. Një trup u gjet edhe këtë javë, pothuajse një vit pas ngjarjes.
Ndërkohë, Mazón u kritikua ashpër pasi vazhdoi një drekë publike dhe mori pjesë në një ceremoni turistike ditën e katastrofës, ndërsa rajoni i tij përmbytej.
“Mazón nuk ishte aty ku duhej të ishte atë ditë, ai nuk ishte në lartësinë e detyrës,” deklaroi protestuesi Gonzalo Bosch, 38 vjeç, nga Paiporta.
Protestuesit mbanin pankarta me kërkesa për dorëheqje dhe ndëshkim penal ndaj Mazonit, ndërsa marshuan në qendrën e qytetit të tretë më të madh të Spanjës.