Sot, 3 maj, nga ora 10:00 do të vazhdojë seanca konstituive për Kuvendin e Kosovës. Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, ka dështuar për gjashtë herë të sigurojë votat e nevojshme për t’u zgjedhur. Ndërsa kjo është hera e dhjetë që tentohet të konstituohet Kuvendi.
Qalaj: S’ka votë për një njeri që nuk është dinjitoz për pozitën e kryeparlamentarit
Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë ta mbajë qëndrimin e njëjtë sa i përket votimit për kandidaten e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, ka thënë deputeti Rashit Qalaj.
Qalaj ka thënë se edhe sa i përket votimit të fshehtë, nuk do të pranohet.
“Sa i përket PDK-së, qëndrimi është i njëjtë. Nuk ka votë për njeri që nuk është dinjitoz për pozitën e kryetarit të Kuvendit”, ka thënë ai.
Bajrami thotë se LDK-ja s’do të ndërrojë qëndrim
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se është e papranueshme çdo përpjekje për të ndryshuar mënyrën e votimit gjatë procesit të konstituimit të Kuvendit.
Ajo theksoi se LDK-ja ka qenë gjithmonë e qartë në qëndrimin e saj dhe se “nuk jemi ne ata që duhet të ndërrojmë qëndrim”.
Sipas saj, ndryshimi i mënyrës së votimit mund të bëhej vetëm në fillim të procesit dhe jo në fazën kur votimi është duke u zhvilluar.
Murati uron ndryshim qëndrimesh nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja e Nisma
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka shprehur shpresën se gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës do të ketë ndryshim qëndrimi nga ana e PDK-së, LDK-së, AAK-së e Nismës dhe të votohet kryeparlamentari.
“Uroj që të ndërrojë qëndrim opozita në mënyrë që të zhbllokohet procesi”, deklaroi Murati para hyrjes në Kuvend për EO.