Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, gjatë fjalës së saj në një aktivitet kushtuar punësimit në sektorin publik, prezantoi një sërë nismash që synojnë reformimin dhe modernizimin e administratës publike në Shqipëri.
Ajo bëri të ditur se është ngritur një portal unik për punësimin në administratën publike, si rezultat i bashkëpunimit mes Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive dhe Departamenti i Administratës Publike.
“Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive dhe Departamenti i Administratës Publike kanë punuar bashkë për të pasur një portal unik të punësimit në mbarë Shqipërinë për administratën publike, por edhe për të garantuar një sistematizim të një sistemi të fragmentuar, ku një institucion i publikonte ose jo thirrjet në faqet e tyre zyrtare, duke i mundësuar çdo punëkërkuesi që dëshiron të bëhet pjesë e administratës publike të ketë një dritare të vetme publike aplikimi”, u shpreh Pirdeni.
Sipas saj, kjo nismë është pjesë e një pakete më të gjerë reformash për transformimin e administratës publike.
“Kjo vjen në kuadër të një sërë iniciativash që po marrim për të rikonceptuar dhe ripozicionuar 360 gradë administratën publike shqiptare. Ne sot sfidat e administratës publike i dimë, por sfidë mbetet sigurimi i kapaciteteve njerëzore që t’i qëndrojmë përballë këtyre sfidave”, theksoi ajo.
Ministrja nënvizoi se sfida kryesore mbetet procesi i integrimit europian.
“Sfida kryesore është anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimi Evropian, një sfidë e cila e vendos administratën publike nga njëra anë në rolin e një punëkërkuesi konkurrues në treg për të përthithur kapacitetet më të mira, dhe nga ana tjetër në pozicionin e megastrukturës që duhet të mbajë në këmbë procesin e negociatave që vijon me ritme të përshpejtuara”, deklaroi Pirdeni.
Ajo shtoi se reformat përfshijnë edhe fuqizimin e administratës si punëdhënës konkurrues, duke nisur nga rishikimi i sistemit të pagave.
“E gjithë kjo iniciativë është në vazhdën e nismave për fuqizimin e administratës si punëdhënës konkurrues, duke filluar nga rishikimi tërësor i sistemit të pagave në administratë. Të rishikojmë në mënyrë të strukturuar dhe të vendosim një sistem të drejtë pagash”, u shpreh ministrja.
Pirdeni bëri të ditur se qeveria ka nisur indeksimin e pagave në përputhje me inflacionin.
“Duke filluar që nga ky vit, ne kemi nisur indeksimin sistematik të pagave me normën e inflacionit për ta sjellë pagën në realitetin e çdo familjeje shqiptare”, tha ajo.
Në përmbyllje, ministrja theksoi se këto reforma kanë sjellë rezultate konkrete edhe në vlerësimet ndërkombëtare.
“Në sajë të këtyre nismave, Shqipëria sot pozicionohet si lider në rajon nga SIGMA në fushën e menaxhimit të burimeve njerëzore”, përfundoi Pirdeni.