Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar të dhënat zyrtare për pjesëmarrjen në votime deri në orën 13:00 në të gjitha qarqet e vendit. Sipas raportimeve nga 2639 nga 5225 qendra votimi në total, pjesëmarrja kombëtare është regjistruar në 26.55%, duke shënuar një rënie krahasuar me zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021, ku në të njëjtën orë ishte 31.52%.
Sipas qarqeve, pjesëmarrja më e lartë është shënuar në Tiranë me 30.02%, e ndjekur nga Dibra me 28.93% dhe Kukësi me 27.26%. Në anën tjetër, Vlora vijon të ketë pjesëmarrjen më të ulët me vetëm 19.18%. Në qytetin bregdetar po mbahet edhe gara sportive e Giro d’Italia, e cila ka ‘paralizuar’ një pjesë të qarkullimit. PS ka kërkuar shtyrjen e orarit të votimit në qarkun e Vlorës, deri në 22:00. Celibashi tha se mbi këtë kërkesë do duhet të merret një vendim, nga Komisioni Rregullator.