Vijon në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) dëshmia e bujshme e të penduarit të drejtësisë Skerdi Tase, një nga personat kyç në hetimin e dosjes “Plumbi i Artë”. Në seancën e sotme, Tase tregoi me detaje momentet para dhe pas tentativës për vrasjen e Gim Boricit.
Sipas dëshmisë së tij, Tase dhe bashkëpunëtori Henriku kishin marrë informacion se Borici ndodhej në spital. Ata shkuan me një makinë tip Renault Clio, por nuk e gjetën aty dhe më pas e lokalizuan te lokali i tij, ku ishte duke pirë kafe me vëllain.
“Henriku tha, aq më mirë nëse i vrisnim të dy, se ishte më mirë për porositësin. U afruam nga rrugicat drejt tyre. Unë kisha një kallashnikov, Henriku një Glock. Qëlluam nga makina, por pas një breshërie arma më ngeci. Henriku vazhdonte të qëllonte dhe më thoshte të qëlloja. Unë isha në sediljen mbrapa, Riku në timon. Qëlluam nga 5 metra largësi,” rrëfeu Tase.
Pas të shtënave, ata panë që Borici dhe i vëllai u ngritën dhe u larguan drejt banesës. Të dy atentatorët nuk dolën nga makina dhe vendosën ta digjnin mjetin për të zhdukur gjurmët.
“Kur dogjëm makinën, u dogja dhe vetë. Zjarrin e ndezëm me një shkrepëse, por kur u afrova, flaka më dogji mjekrën, flokët dhe dorezat që më morën flakë. Ato doreza u gjetën më vonë nga policia,” tha Tase.
Ai shtoi se një person me emrin Vironi i kishte thënë se policia kishte gjetur një provë, por kishte “një kushëri tek ekspertiza” dhe do e rregullonte, duke kërkuar para.
Gjithashtu, sipas Tases, Henriku i kishte thënë se ishin të sigurt, pasi Renato Saliaj u kishte garantuar që nuk kishte prova që mund t’i implikonin.