Pak ditë para 84-vjetorit të ditëlindjes së shkrimtarit Shefki Karadaku, miku i tij Hysen Kosovrasti (publicist dhe shkrimtar i njohur në zonat shqipfolëse të Republikës së Maqedonisë së Veriut) më dërgoi një foto të para dhjetë viteve. Një foto sa mijëra fjalë, për aktivitetin publik të shkrimtarit Sh. Karadaku, të adhuruar nga lexues të shumtë në hapësirën mbarëshqiptare në botë, fokusuar pas një takimi me personalitete të letrave në qytetin historik të Dibrës së Madhe, ku mes të tjerëve është edhe poeti i ndjerë Halit Basha.
Në emër të Art Klub “Dibra”, Dibër e Madhe, z. Hysen Kosovrasti, ndër të tjera shprehet: “Shefki Karadaku erdhi disa herë, si i ftuar special në qytetin e Dibrës së Madhe. U njoh me shumë poetë nga të gjitha trojet shqiptare, Tirana, Burreli, Peshkopia, Dibra, Kosova…, sidomos me kryetarin e klubit, Nebi Samarxhiu. Ata, disa që i njihte, e respektuan pa masë, sepse Shefki Karadaku është ndër intelektualët e rrallë që mori mbi supe përgjegjësi të rënda, në veçanti ai punoi me shumë dinjitet në fushën e krijimit letrar si në prozë ashtu edhe në poezi”.
Jo pa qëllim evidentova këtë fakt si fillesë e këtij shkrimi, sepse ky autor me një korpus aq të pasur letrar i lënë në harresë nga institucionet shqiptare, është ndër më të pëlqyerit nga lexuesi shqiptar, jo vetëm i Tiranës, Elbasanit, Durrësit, Shkodrës e Dibrës, por edhe në Prishtinë, Shkup, Tetovë, Dibër të Madhe, Ulqin etj…
Nuk është rastësi që poeti e prozatori Shefki Karadaku mirëpritej e botohej kudo në trevat shqipfolëse, si në Prishtinë, Dibër të Madhe, Ulqin, Strugë etj. Madje në vitet ‘73-74 gazeta prestigjioze “Rilindja” e Prishtinës botoi në 6 muaj radhazi novelën e tij “Kur kërcasin boçet e pishave”.
“KHAJAMI” I DITËVE TONA
Dr. Lutfi Turkeshi, gazetar & studiues nga Republika e Maqedonisë së Veriut, jo më kot, e vlerëson Shefki Karadakun si “Khajamin e ditëve tona”. Në këtë konkluzion ai arrin pasi ka lexuar romanet “Puthja e ngrirë”, “Njëmijë vjet dashuri”, “Vila e magjepsur”, “Salamandrat”, “Filantropi”, “Panagjerikus” e të tjerë, dhe vëllimet poetike “Kënga e korrave të drithit”, “Melodi të Shkumbinit”, “Ylberi”. “Lumi me njëqind zemra” e “Feniks” të poetit e shkrimtarit Shefki Karadaku, i cili asnjëherë nuk do t’i nënshtrohej jetës edhe pse e vuante atë…
“Si feniks, shkëlqen me ide kuarci duke ndërtuar “udhë betoni”… I tillë është poeti Shefki Karadaku. Tërë vargjet e poemës ‘Feniks’ janë të harmonizuara estetikisht në të gjitha nivelet e të shprehurit emocional, individual, stilit origjinal dhe figuracionit. Këto poezi janë shprehje e një personaliteti poetik jo të zakonshëm… Ka poeti edhe idilin e vet të vendlindjes që është “… me çuka, rrape-qiparisa dhe subtropiku mund t’i flasë qershisë, por jo ajsbergë…”. Por, ka poeti edhe dashurinë e shprehur si Naimi e Çajupi: ‘Të këndoj ty bukuroshe si alku, unë s’jam poet i vjetër melik, po zemra po aq e lashtë sa dheu, përpara teje rreh si det antik…’, që pastaj të vijojë: ‘Po zemra e kërkon nudon e bukur, le të jetë ajo si mbretëreshë, që nëpër gjoksin e saj malli i shkurtër si tajfun Floride të përqeshë…’. Si të përfundojmë?! Shkurt, poezi e veçantë, e jashtëzakonshme, e bukur… Është e tillë poezia e poetit Shefki Karadaku… Është shumë refleksive, sa më shpesh ta lexosh dhe rilexosh, gjithnjë do të nxjerrësh ndonjë ndriçim nga qielli me plot yje lirike të poetit të madh. Pra, kjo lirikë është identiteti poetik si katarzë”, -shkruan Dr. Lutfi Turkeshi-Gazetar, studiues (“Identiteti si katarzë” – Gazeta “Fakti”, 8 mars 2001, Shkup).
Krijimtaria e Shefki Karadakut është botuar edhe në gjuhë të tjera europiane. Revista letrare gjermane “Literatura Nr. 11, ndërmjet 20 autorëve nga Gjermania dhe vendet e tjera të Europës dhe Ballkanit boton edhe fragmente nga krijimtaria e shkrimtarit shqiptar Shefki Karadaku. Revista është botuar nga shoqëria letrare “Marburg” e Universitetit të Marburgut. Kopjet e saj ruhen në bibliotekën gjermane sipas ISSN. Botuesja gjermane Erika Beeerman, në letrën e falënderimit për shkrimtarin Karadaku, ndër të tjera shprehet se kjo revistë boton autorë të famshëm. Dy vjet më parë, me kontributin e familjes u botua në anglisht romani i Shefki Karadakut “Puthja e ngrirë”, nga një kopje e të cilit ju dhurua selive të huaja diplomatike në Tiranë. Dhe menjëherë erdhi vlerësimi i ambasadorit gjerman Peter Zingraf për këtë roman tejet të arrirë që me të drejtë është mirëpritur e vlerësuar në botën letrare të kryeqytetit.
INDIVIDUALITETI NJERËZOR
Dr. Mujë Buçpapaj, duke evidentuar individualitetin krijues dhe njerëzor të shkrimtarit Shefki Karadaku nënvizoi faktin se Ai ishte një individualitet i fortë njerëzor dhe poetik, ishte një lirik i çiltër, mjeshtër i vargut dhe i teknikës poetike dhe këto i mjaftonin për të qëndruar larg poezisë së angazhuar dhe brohoritëse që siguronte shpesh privilegje, karrierë dhe shpërblime zyrtare. Buçpapaj mendon se Shefkiu si poet nuk ishte i rehatshëm për kritikën. Ai ishte një zë i pagabueshëm poetik dhe lirika e tij mistike nuk kishte parasysh këtë kritikë, gjithmonë të njëanshme, por një liri individuale universale si një vepër me ndikim të gjatë, si një eksplorim gjuhësor dhe përvojë e rrallë njerëzore që i drejtohet sa bashkëkohësve aq edhe së ardhmes. Shkrimtari dhe publicisti i mirënjohur Xhevat Mustafa, pasi evidenton faktin që krijimtaria e Shefki Karadakut është botuar edhe në gjuhë të tjera evropiane, si gjermanisht, anglisht….shpreh keqardhje sepse: “…fatkeqësisht, edhe pse ishte një nga shkrimtarët me më shumë tituj veprash të botuara, më të shquar e më të lexuar, sidomos pas vitit 1990, kritika letrare, Bashkia e Elbasanit dhe e Tiranës, Ministria e Kulturës, Ministria e Arsimit, Presidenca, nuk i kushtuan vëmendjen dhe nuk i dhanë vlerësimin që meritonte. Në gjykimin e Xhevat Mustafës, proza në tri përmasat, pra në tregime, novela dhe romane e Shefki Karadakut, shquhet apo dallohet: – për origjinalitet, për spektrin e gjerë të subjekteve, nga lashtësia deri në ditët e sotme; – për narracionin apo rrëfimin e zhdërvjelltë e të natyrshëm; – për strukturimin intrigues dhe mbërthyes nëpërmjet emocioneve të shumta e të forta nga faqja e parë deri tek e fundit…
KRIJIMI I ARTIT
Sakip Cami – shkrimtar, poet dhe publicist i njohur, e konsideron Shefki Karadakun një shkrimtar të spikatur si në poezi edhe në prozë, në novelat dhe romanet e tij me subjekte dhe personazhe që të mbeten në kujtesë. Sipas tij, e veçanta e prozës së Karadakut është poezia e shkrirë brenda saj me figura letrare dhe artistike që të mrekullojnë. “Karadaku ka shkruar e botuar 10 libra me novela e 12 romane ku do të veçoja romanin “Puthja e ngrirë” , një roman i shkruar në vitet 1990 – 1991 që trajton egërsinë e diktaturës komuniste që po jepte shpirt duke vrarë e plagosur dhe kjo e dhënë nëpërmjet një çifti të rinjsh, Rrok Delisë dhe Zibelit, të cilëve falangat komuniste ua ngrinë puthjen dhe ua mohuan dashurinë duke i vrarë në kufi”,- vlerëson ndër të tjera S.Cami, duke vijuar se Shefki Karadaku lindi për të krijuar artin e tij dhe si i tillë jo më kot është vlerësuar nga të mëdhenjtë e letrave shqipe si Llazar Siliqi, Petro Marko, Adriatik Kallulli, por dhe personalitete të njohura të letrave shqipe, si: Moikom Zeqo, Roland Gjoza, Riza Lahi, Petraq Risto, Agim Cerga, Milianov Kallupi, Dr.Lutfi Turkeshi, Faruk Myrtaj, Sazan Goliku, Halil Rama e Sakip Cami, të cilët vlerësojnë maksimalisht veprën letrare të Shefki Karadakut ndër vite
Prozatori Andon Andoni, vlerëson se romani “Puthja e ngrirës” ka një natyrë moderne për sa i përket portretizimit të personazheve. Shkrimtari, dramaturgu dhe publicisti Arben Iliazi e vlerëson Shefki Karadakun një zë emblematik të lirikës shqiptare.
Për poetin dhe analistin e mirëfilltë të veprës letrare Agim Pipa, apostulli i poezisë, i tregimit, romanit dhe letrave shqipe Shefki Karadaku, përbën sot një rast unikal jo vetëm në dukjen, në formën dhe elementë të tjerë të veprës së tij të madhe, por mbi të gjitha, me përmbajtjen që priret të shkojë fjalë pas fjale, tingull pas tingulli, fonemë pas foneme, ligjëratë pas ligjërate, morfologji dhe sintaksë gjuhësore bashkë, me përmbajtjen që priret të shkojë pra drejt thellësisë së shpirtit të njeriut.
KORPUSI LETRAR
Teksa lexon veprën e Shefki Karadakut, vetëtimthi të kujtohet krijimtaria letrare mjaft cilësore e këtij poeti dhe prozatori që shkruan prej pesë dekadash, si romanet: “Sagë Mbretërore”, “Puthja e ngrirë”, “Njëmijë vjet dashuri”, “Argonautët”, “Vila e magjepsur”, “Salamandrat”, “Gjergj Elez Alia”, si dhe disa novela e vëllime me poezi.
Koorpusi letrar i Sh.Karadakut përbën një thesar të çmuar që rrezaton dritën e artë. Gjetjet metaforike, forca krijuese, gjuha e pasur e shpesh poetike, përdorimi mjeshtëror i fakteve, kronikat, përshkrimi i heronjve, legjendat dhe episodet e bëjnë të këndshme prozën e këtij shkrimtari. Rrallë gjen në historinë e letërsisë shqipe një autor si Shefki Karadaku, të vlerësuar nga pena të spikatura si: Agim Cerga, Perikli Jorgoni, Milianov Kallupi, Riza Lahi, Jusuf Shahini, Leonard Veizi, Faruk Myrtaj, Mujë Buçpapaj, Ramazan Vozga, Namik Selmani, Sazan Goliku, Sakip Cami, Neritan Dragoti, Ahmet Banushi, Ermir Hoxha, Tomor Jolldashi, Mihal Disho etj.. Ndaj, shkrimtarë të tillë si Ai, që kanë sjellë risi në letërsinë tonë, meritojnë vëmendje nga kritika letrare dhe, në mungesë të Lidhjes së Shkrimtarëve, nga Ministria e Kulturës e nga Presidenti i Republikës. Personalitete si Ai, meritojnë vëmendje, sepse janë truri i kombit.