Një postim në rrjete sociale nga gazetari Ilir Mirena ka ndezur një debat të ashpër publik mes tij dhe deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci.
Në qendër të polemikës është një fotografi e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, të cilën Mirena e ka shoqëruar me një përshkrim ironik, duke e cilësuar atë si “gjynah” dhe duke i përmendur shpenzimet e mëdha për dreka dhe darka gjatë vitit të kaluar në zyrën e tij.
“Doket kështu si gjynah, që veç përshesh han, ama veç vjet në zyrën e tij i ka rras nja 112 mijë euro dreka e darka, e kaftjalla…”, ka shkruar Mirena.
Por fotoja në fjalë ka pasur një domethënie krejt tjetër për Saranda Bogujevcin.
Deputetja ka reaguar me tone të ashpra, duke e quajtur Mirenën “mjeran”, dhe duke e akuzuar për mungesë respekti në një ditë të ndjeshme për të dhe familjen e saj.
“Mjeran, Ilir Mirena. Kjo foto është bë në ditën e përkujtimit të masakrës së familjes sime, në një ditë kur asnjëri nga shefat e tu nuk e ka hapur derën – as për ne, as për të tjerët. Mjerim që jetojmë dhe marrim frymë në të njëjtin ajër me mjeranë si ti. Nuk keni as kufij, as turp për asgjë. Keni mbetur veç të mjerë”, ka shkruar Bogujevci.
Reagimi i Bogujevcit nuk mbeti pa përgjigje.
Ilir Mirena u rikthye me një reagim edhe më të ashpër, duke e akuzuar deputeten për shfrytëzim të tragjedisë së familjes së saj për qëllime politike dhe për heshtje përballë korrupsionit dhe skandaleve brenda partisë së saj.
Ai publikoi një fotografi të Bogujevcit me Ministrin e Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, një figurë e afërt me regjimin e Millosheviqit, dhe zëdhënës i tij gjatë luftës.
“E mjere je ti, Saranda Bogujevci, qe e lejon veten te jesh vegel per t’u perdorur nga Albin Kurti dhe partia e tij. E mjere je ti, qe perdore tragjedine e viktimave civile te familjes tende per ta shndrruar ne avantazh moral dhe elektoral. E mjere je ti, qe zani nuk t’nihet per hajnit, krimin e korupsionin e partise ku bene pjese.
E mjere je ti, qe provon t’ja zbusesh zemren zedhensit te kasapit Sllobodan Millosheviqit, Ivica Daçiqit, per krimet qe i kane kryer ne Kosove, edhe ndaj familjes tende. I mjere eshte edhe shefi yt, Albin Kurti, qe ne nje pervjetor ne familjen tende vjen i veshur si i mjere, e nuk vishet siç duhet per te respektuar te gjallet e te renet…Pritova me u marr me ty, por ndrrova mendje se po mendoni qe po na ngushtoni – edhe me biografit tuaja – e po ju lshojme udhe…”, ka shkruar Mirena./Paparaci