Policia e Shtetit ka hapur aplikimet për 402 funksione në Patrullën e Përgjithshme.
Aplikimet janë të hapura nga 1 deri në 21 shtator 2025 pranë drejtorive vendore të Policisë. Çdo shtetas që plotëson kriteret ka të drejtë të aplikojë pranë drejtorive vendore të policisë ku ai ka vendbanimin e përhershëm.
Aplikanti duhet të jetë shtetas shqiptar; të jetë jo më shumë se 30 vjeç; të jetë me gjatësi jo më pak se 170 cm për meshkujt dhe jo më pak se 160 cm për femrat; të ketë përfunduar arsimin e mesëm (nuk përjashtohen shtetasit që kanë përfunduar arsimin e lartë); të mos jetë i përjashtuar nga Policia e Shtetit, strukturat e tjera të sigurisë kombëtare apo të jetë larguar nga shërbimi civil; të ketë zotësi të plotë për të vepruar; të jetë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën; të mos jetë i dënuar me vendim gjykate, të formës së prerë, për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje; të ketë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit B; të plotësojë kriteret e besueshmërisë dhe të integritetit.
Shtetasit që shprehin dëshirën për t’u pranuar në Policinë e Shtetit, duhet të dorëzojnë pranë strukturave të Burimeve Njerëzore në drejtoritë vendore të policisë, jo më vonë se data 21.09.2025, formularin e aplikimit të plotësuar, së bashku me formularin e vetëdeklarimit për punësim në strukturat e policisë; formularin e dekriminalizimit; fotokopje të kartës së identitetit; diplomë të shoqëruar me listë notash, që vërteton përfundimin e arsimit të mesëm (të noterizuara); fotokopje të dëshmisë së aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “B”; certifikatë të gjendjes gjyqësore; certifikatë familjare; skedën mjekësore (formular tip); vërtetim nga gjykata që nuk është në gjykim për vepër penale; vërtetim nga prokuroria që nuk është në ndjekje penale; vërtetim nga SPAK, që nuk është objekt hetimi; mandatpagesën e tarifës së aplikimit, i cili merret në drejtorinë vendore të policisë.
Për pranimin në polici, aplikantët duhet të kalojnë me sukses aplikimin; verifikimin dhe shqyrtimin e dokumentacionit; kontrollin shëndetësor; testimin me shkrim; testimin fizik, intervistën me gojë; verifikimin e besueshmërisë dhe integritetit, dhe marrjen e gjurmëve të gishtave.
Aplikanti skualifikohet dhe ndërpret procesin e konkurrimit në çdo fazë të tij nëse: nuk aplikon brenda afatit të përcaktuar; nuk dorëzon në kohën e aplikimit dokumentacionin e kërkuar; nuk plotëson kriteret e përcaktuara për t’u pranuar si aplikant; ka deklaruar të dhëna të rreme apo ka paraqitur dokumente të falsifikuara; rezulton përdorues droge; rezulton të ketë varësi nga alkooli; nuk kalon kontrollin shëndetësor; nuk paraqitet në kohën e caktuar në njërën nga fazat e konkurrimit; nuk vlerësohet me të paktën 50% të pikëve në secilën prej fazave të konkurrimit.
Çdo aplikant ka të drejtën e ankimit për çdo fazë të procesit. Ankimimi behet nëpërmjet e-mailit, në adresën burimet.njerezore@asp.gov.al, brenda 2 ditëve nga data e njoftimit për secilën faze të procesit. Komisioni i Ankimimit njofton aplikantin brenda 5 ditësh punë, në lidhje me vendimin e marrë.
Formulari i aplikimit, formulari i vetëdeklarimit, formulari i dekriminalizimit dhe skeda mjekësore shkarkohen nga faqja zyrtare e Policisë së Shtetit ose merren fizikisht pranë drejtorive vendore të Policisë. Dokumentacioni i plotësuar dorëzohet pranë drejtorive vendore të Policisë, ku aplikanti ka vendbanimin e përhershëm, brenda datës 21.09.2025.