Policia e Kosovës ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për garantimin e sigurisë gjatë procesit të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat mbahen sot, më 7 qershor 2026.
Sipas njoftimit zyrtar, bazuar në autorizimet ligjore dhe planifikimet operative, Policia ka hartuar urdhrin operativ që parasheh angazhimin e një numri të konsiderueshëm të zyrtarëve policorë, kryesisht nga njësitë e rendit publik, por edhe nga profile të tjera sipas nevojës. Në dispozicion do të jenë gjithashtu pajisjet e nevojshme logjistike për të siguruar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Plani operativ është i ndarë në katër faza: periudha përgatitore dhe vlerësuese, sigurimi gjatë fushatës zgjedhore, garantimi i sigurisë në ditën e votimit dhe periudha pas zgjedhjeve, e cila përfshin transportin dhe ruajtjen e materialit sensitiv zgjedhor deri në përfundimin e procesit.
Policia bën të ditur se faza përgatitore tashmë ka përfunduar, ndërsa aktualisht është duke u zbatuar faza e sigurisë gjatë fushatës zgjedhore. Institucioni thekson se do të vazhdojë zbatimin e planit deri në përmbylljen e plotë të procesit zgjedhor.
Ndër objektivat kryesore të urdhrit operativ janë krijimi i një ambienti të qetë dhe të sigurt për qytetarët, ruajtja e rendit dhe sigurisë publike, sigurimi i qendrave të votimit, depove komunale dhe Qendrës së Numërimit të Rezultateve, si dhe transporti i sigurt i materialit zgjedhor.
Po ashtu, Policia ka paralajmëruar se çdo vepër penale që cenon të drejtën e votës do të trajtohet me prioritet dhe në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit do të ndërmerren të gjitha veprimet ligjore ndaj personave që shkelin ligjin gjatë procesit zgjedhor.
Në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit mes Policisë së Kosovës, KQZ-së, Prokurorisë së Shtetit dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës, janë caktuar hetues dhe koordinatorë të posaçëm për trajtimin e rasteve që mund të lidhen me procesin zgjedhor.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë me institucionet dhe të raportojnë çdo parregullsi apo veprim të kundërligjshëm që mund të ndikojë në sigurinë dhe integritetin e zgjedhjeve. Raportimet mund të bëhen përmes numrave 192 dhe 038 550 999, përmes postës elektronike ose në stacionet më të afërta policore.