Politika ka uruar 113-vjetorin e shpalljes së Shqipërisë shtet i pavarur. Mesazhe jo vetëm nga vendi e Kosova, por edhe partnerët ndërkombëtarë. I pari që uroi ishte kryeministri Edi Rama, i cili përmes postimit të përditshëm në mëngjes, publikoi një fotografi nga monumenti i pavarësisë në Vlorë.
“Gëzuar Ditën e Pavarësisë!”, shkroi kreu i qeverisë.
Nga SHBA, uroi Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, i cili vlerësoi partneritetin me Shqipërinë. Edhe Donald Trump i dërgoi një mesazh presidentit Bajram Begaj, të cilin e ndau në rrjete sociale. Begaj, duke e falenderuar për urimin, theksoi se mbeten të përkushtuar për të punuar krah aleatit të saj.
Pres me padurim forcimin e bashkëpunimit tonë mbi prioritetet e përbashkëta, duke përfshirë stabilitetin rajonal, përballjen me organizatat kriminale ndërkombëtare dhe zgjerimin e mundësive dypalëshe të biznesit dhe tregtisë. Ju uroj juve dhe popullit të Shqipërisë një Ditë të gëzuar Pavarësie”, thuhet në mesazhin e Trump.
“Jam i nderuar të përcjell përshëndetjet e Presidentit Trump për shqiptarët në Ditën e Pavarësisë. Faleminderit, SHBA, dhe faleminderit Donald J. Trump për mesazhet e ngrohta dhe pozitive në këtë ditë të rëndësishme. Shqipëria mbetet e përkushtuar për të punuar me Shtetet e Bashkuara mbi prioritetet tona të përbashkëta.”, shkroi më pas Begaj.
Edhe delegacioni i BE-së në Tiranë përcolli urimin e tij: “Gëzuar 28 Nëntorin, Shqipëri! Gëzuar Ditën e Pavarësisë”. Nuk mungoi edhe urimi nga NATO.
“…për t’u bashkuar me ne në festimin e Aleatit tonë Shqipërisë në Ditën e tyre Kombëtare!”, shkruhej në postimin e NATO-s, krahas disa fotove të Forcave të Armatosura Shqiptare.
Edhe nga Kosova nuk munguan urimet. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duke iu rikthyer ngjarjeve historike, bëri thirrje për një “Nëntor të Tretë”, i cili, sipas tij, duhet të vijë përmes përpjekjeve, punës dhe përkushtimit të përbashkët drejt të ardhmes së kombit.
“Natyrisht, si komb evropian, sytë i kemi të kthyer kah e ardhmja, kah një Nëntor i Tretë, që duhet të vijë nëpërmjet përpjekjeve tona, punës dhe përkushtimit tonë të vazhdueshëm. Ky Nëntor i Tretë, edhe nëse nuk do të bjerë në këtë ditë, edhe nëse nuk do të jetë muaj i nëntorit, ne mund ta pagëzojmë që sot si 28 Nëntori ynë i Tretë. Atëherë amaneti i të gjithë atdhetarëve shqiptarë, të gjallë e të vdekur, do të përmbushet. Urojmë që kjo ditë të vijë sa më shpejt!”, u shpreh Kurti.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përveç urimit, solli në vëmendje katër ngjarje historike që e shënojnë 28 Nëntorin.
“Dita e Flamurit, e Pavarësisë së Shqipërisë, e lindjes së Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe e daljes së parë publike të UÇK-së janë katër ngjarje që përbëjnë boshtin e krenarisë sonë kombëtare,” tha Osmani.
Nga qelia, Ilir Meta dha mesazhin e tij. Duke vlerësuar kontributin e figurave historike, ai thekson se patriotizmi, sakrificat dhe gjaku i derdhur për flamurin duhet të mbeten pishtar i përhershëm për kombin shqiptar.
“Patriotizmi, sakrificat dhe gjaku i derdhur për Flamurin Kombëtar duhet të mbeten pishtari ynë i përhershëm, drita që na ndriçon mendjet, na hap sytë dhe na udhëheq drejt rrugës së drejtë për të mbrojtur Shqipërinë, sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, ku sot dhe mot shqiptarët dhe fëmijët e tyre meritojnë të jetojnë në liri, me dinjitet, krenarë dhe të begatë,” shkruan Meta.
Nga Erdogan, Matarella dhe Steinmeier, Begaj tregon urimet e marra nga disa presidentë për Ditën e Flamurit

Presidenti italian nënvizon me kënaqësi të veçantë miqësinë vëllazërore gjithnjë e më të madhe dhe gjithnjë e më të begatë mes dy vendeve. Ai thekson se kjo miqësi është spontane falë afërsisë gjeografike dhe është përforcuar nga rrënjë të përbashkëta historike, si dhe nga një partneritet politik dinamik bashkëpunimi në kuadër të Aleancës së Atlantikut dhe marrëdhënieve të frytshme ekonomike e kulturore. Po ashtu, vlerësohet në mënyrë të veçantë kontributi i komuniteteve shqiptare në Itali dhe i komunitetit italian në Shqipëri, si ura të gjalla miqësie mes dy popujve.
Në mesazhin e tij, Presidenti italian përgëzon, gjithashtu, përparimin domethënës që ka bërë Tirana gjatë këtij viti në rrugëtimin e saj drejt integrimit evropian. Italia riafirmon mbështetjen e saj të plotë dhe të qëndrueshme për Shqipërinë, duke inkurajuar aspiratën legjitime të saj për t’u bërë pjesë e BE-së.
Edhe Presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, në telegramin e tij të urimit rikonfirmon mbështetjen për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në BE, ndërsa e cilëson vendin tonë një partner të ngushtë dhe të besueshem për Gjermaninë.
“Ne e vlerësojmë angazhimin ndërkombëtar të vendit tuaj, në veçanti punën e tij aktive në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara dhe përfshirjen e tij në Procesin e Berlinit për bashkëpunim rajonal në Ballkanin Perëndimor. Duke pritur Samitin e Komunitetit Politik Evropian dhe Konferencën e Mbrojtjes Kibernetike të NATO-s në Tiranë, Shqipëria ka marrë një përgjegjësi të veçantë.Vendi juaj ka bërë përparim të jashtëzakonshëm vitet e fundit në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Jam i bindur se proceset e nevojshme të reformave do të vazhdojnë të ndiqen vazhdimisht”, – shkruan Frank-Walter Steinmeier, i cili garanton se Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë me të gjitha aftësitë e saj në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Presidenti i Kroacisë në urimet e tij thekson bisedën që ka zhvilluar me Presidentin Begaj përgjatë Samitit të Brdo-Brijuni-t të mbajtur në Tiranë: “Jam i kënaqur që shkëmbyem mendime mbi përparimin e mëtejshëm të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Evropës Juglindore në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian, forcimin e stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal, si dhe sfidat aktuale globale që ndikojnë në sigurinë dhe zhvillimin e rajonit. Besoj se së bashku mund të kontribuojmë në arritjen e këtyre qëllimeve të rëndësishme”, – shkruan Presidenti kroat Zoran Milanović.
Presidenti Recep Tayyip Erdoğan, në mesazhin e urimit dërguar Presidentit të Republikës thekson se “marrëdhëniet e thella me partnerin tonë strategjik, Shqipërinë, si në nivel dypalësh, ashtu edhe në atë rajonal, po zhvillohen çdo ditë”. Erdogan shpreh besimin se ky bashkëpunim i palëkundur, i forcuar nga urat e dashurisë midis popujve tanë, do të bëhet edhe më i fortë, i qëndrueshëm dhe shumëdimensional në periudhën e ardhshme. “Besoj me gjithë zemër se bashkëpunimi midis Turqisë dhe Shqipërisë do të vazhdojë të kontribuojë në paqen, stabilitetin dhe zhvillimin në Ballkan”, – shkruan Erdogan.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka marrë urime nga Kina, Arabia Saudite, Japonia, Estonia, Azerbajxhani, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe të tjera telegrame vijojnë të mbërrijnë në zyrën e Kreut të Shtetit.
Rama kujton Adem Jasharin në përvjetorin e lindjes: U kthye në flamur të sakrificës, lirisë dhe krenarisë
Trump mesazh Begajt: Ju uroj juve dhe popullit shqiptar një ditë të gëzuar Pavarësie! Zgjerojmë bashkëpunimin mbi prioritetet e përbashkëta

“Në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara, ju dërgoj urimet tona më të mira juve dhe popullit të Shqipërisë ndërsa festoni pavarësinë tuaj.Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria gëzojnë një partneritet të fortë të krijuar nga lidhje të ngushta sigurie, ekonomike dhe njerëzore. Pres me padurim forcimin e bashkëpunimit tonë mbi prioritetet e përbashkëta, duke përfshirë stabilitetin rajonal, përballjen me organizatat kriminale ndërkombëtare dhe zgjerimin e mundësive dypalëshe të biznesit dhe tregtisë. Ju uroj juve dhe popullit të Shqipërisë një Ditë të gëzuar Pavarësie”, thuhet në mesashin e Trump.
Begaj e falenderoi presidentin e SHBA për urimin, ndërsa shtoi se Shqipëria mbetet e përkushtuar për të punuar me aleatin e saj.
“Jam i nderuar të përcjell përshëndetjet e Presidentit Trump për shqiptarët në Ditën e Pavarësisë. Faleminderit, SHBA, dhe faleminderit Donald J. Trump për mesazhet e ngrohta dhe pozitive në këtë ditë të rëndësishme. Shqipëria mbetet e përkushtuar për të punuar me Shtetet e Bashkuara mbi prioritetet tona të përbashkëta. Shqipëria ka qëndruar gjithmonë, dhe do të qëndrojë gjithmonë, krah Shteteve të Bashkuara. Zoti i bekoftë kombet dhe popujt tanë!”, ka shkruar presidenti Begaj.
Postimi i presidentit Begaj
113-vjetori i pavarësisë së Shqipërisë, Ilir Proda: Është muaji i flamurit, i grave dhe burrave që u sakrifikuan për lirinë dhe kombin
“Mesazhi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, për festat e Nëntorit!
Nëntori, muaji kur ndjejmë krenarinë, historinë dhe rrënjët që na bashkojnë, kudo që jemi. Është muaji i flamurit tonë, i grave dhe burrave që sakrifikuan për liri dhe i vlerave që na mbajnë si komb. Në këto ditë të shënuara, ne nderojmë ata që sakrifikuan gjithçka për pavarësinë, lirinë dhe për mbrojtjen e atdheut.
Në këtë rrugëtim të historisë, një vend të veçantë ka edhe Policia e Shtetit. Ne jemi institucioni që çdo ditë, në çdo orë, jemi aty ku qytetarët kanë nevojë. Jemi organizata e vetme e sigurisë me qindra dëshmorë që kanë rënë në krye të detyrës, duke mbrojtur jetën, qetësinë dhe të ardhmen e vendit. Ata janë pjesë e kujtesës dhe e identitetit tonë profesional dhe njerëzor, janë në piedestalin e nderit dhe historisë.
Sot, Policia e Shtetit është më e hapur dhe më pranë komunitetit se kurrë më parë. Ne besojmë te bashkëpunimi, te besimi dhe te ideja se siguria është vlerë që e ndajmë të gjithë bashkë. Me vlerat dhe përvojën që na ka dhënë e shkuara dhe me besimin tuaj, jemi të vendosur të bëjmë edhe më shumë për të ardhmen, për një mjedis më të sigurt për të gjithë.
Me respekt dhe mirënjohje për qytetarët, të cilët na besojnë dhe bashkëpunojnë me ne, në emër të Policisë së Shtetit ju uroj Gëzuar Festat e Nëntorit!
Le të na bashkojnë krenaria kombëtare, dinjiteti, dashuria për atdheun dhe kultura për zbatimin e ligjit, si vlera që na udhëheqin.
Nder dhe respekt për të gjithë ata që kanë sakrifikuar dhe vazhdojnë të sakrifikojnë për Shqipërinë!”, thuhet në urim.
113 vite shtet/ NATO uron Shqipërinë për pavarësinë me foto nga Forcat e Armatosura: Bashkë me aleatin tonë
Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut NATO, ka uruar Shqipërinë për 113-vjetorin e festës si shtet i pavarur.Në faqen zyrtare të rrjeteve sociale, NATO ka postuar disa fotografi nga Forcat e Armatosura Shqiptare.
“Prekni (zemër blu) për t’u bashkuar me ne në festimin e Aleatit tonë Shqipërisë në Ditën e tyre Kombëtare!”, shkruan NATO.
UEFA: Gëzuar Pavarësinë Shqipëri, shkëlqeni në skenën evropiane

“Gëzuar Ditën Kombëtare, Shqipëri! Një komb i apasionuar pas futbollit, ju sollët një # EURO U17 2025 të paharrueshëm. Tani po përgatisni EURO U21 2027 me Serbinë, Shqipëria është gati të shkëlqejë përsëri në skenën evropiane”, shkruan UEFA.
Presidenti Begaj uron 113-vjetorin e Pavarësisë nga Sheshi i Flamurit në Vlorë: Gëzuar 28 Nëntorin!

“Sheshi i Flamurit! Gëzuar 28 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë!”
KFOR uron 113-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë: Gëzuar ditën kombëtare të aleatëve tanë

“Gëzuar ditën kombëtare të Aleatëve tanë shqiptarë. Shqipëria është një nga 33 kombet kontribuese të trupave në misionin e KFOR”, shkruhet në urimin e tyre në rrjete sociale.
Festa e Pavarësisë/ Ambasada e SHBA uron me mesazhin e Rubios: Zgjerojmë bashkëpunimin tonë

Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria gëzojnë një partneritet të fortë, të ndërtuar mbi angazhimin e përbashkët për një të ardhme më të sigurt e të begatë. Aleanca jonë në NATO është themeli i mbrojtjes sonë reciproke dhe ne e mirëpresim investimin e shtuar të Shqipërisë për sigurinë tonë të përbashkët.
Gjithashtu, partneriteti ynë me forcat ligjzbatuese shqiptare i bën qytetarët tanë më të sigurt teksa ne përballemi me kërcënimet që paraqiten prej grupeve kriminale ndërkombëtare, karteleve të trafikut të drogës, si dhe atyre që bashkëpunojnë me ta. Ne gjithashtu e vlerësojmë bashkëpunimin e ngushtë në adresimin e kërcënimeve kibernetike, si dhe përgëzojmë Shqipërinë për hapat e saj domethënës në sigurinë kibernetike.
Teksa shënojmë këtë ditë të veçantë, ne presim të zgjerojmë bashkëpunimin tonë në fushën e sigurisë, lidhjet ekonomike dhe miqësinë e qëndrueshme me Shqipërinë.” – Sekretari Amerikan i Shtetit Marco Rubio me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.
113-vjetori i Pavarësisë, Vjosa Osmani uron: Lavdi heronjve, dëshmorëve e martirëve të kombit tonë

“Dita e Flamurit, e Pavarësisë së Shqipërisë, e lindjes së Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe e daljes së parë publike të UÇK-së, janë katër ngjarje që përbëjnë boshtin e krenarisë sonë kombëtare.
Nga Kruja e Skënderbeut, te Vlora e Ismail Qemalit dhe Prekazi i Jasharajve, historia jonë është shkruar me gjak, guxim dhe besim. Sot, Kosova e Shqipëria ecin krah për krah: dy shtete, një komb, dy flamuj, një zemër.
Gëzuar Ditën e Flamurit!
Gëzuar Pavarësinë e Shqipërisë!
Lavdi Komandantit Adem Jashari dhe të gjithë heronjve, dëshmorëve e martirëve të kombit tonë!”, shkruan Vjosa Osmani.
Dita e Pavarësisë, mesazhi i Niko Peleshit: Trashëgimia e themeluesve, udhërrëfyes për të ardhmen
“Nga faqet që shkruajnë historinë, te dita që na bashkon të gjithëve! Dokumentet themeluese të shtetit shqiptar mbeten busulla jonë historike, duke na kujtuar se liria dhe shtetësia jonë nisën pikërisht nga këto faqe që i dhanë formë Shqipërisë. Ato shënojnë momentet tona më të rëndësishme identitare dhe ambicien për një Shqipëri të lirë, sovrane dhe europiane. Nderim për themeluesit tanë dhe rrugën shtetformuese që ata shtruan me vizion e guxim”, shkruan Peleshi.
Për të shënuar këtë ditë, Kryetari i Kuvendit ka publikuar edhe një video simbolike, ku shfaqet libri me Aktet Themeluese të Shtetit Shqiptar 1912-1922, duke rikujtuar momentet kyçe të shtetformimit dhe rëndësinë e dokumenteve historike si udhërrëfyes për brezat e rinj.
Delegacioni i BE uron: Gëzuar Ditën e Pavarësisë Shqipëri

Delegacioni i BE-së në Tiranë ka uruar të gjithë shqiptarët për festën e Pavarësisë së Shqipërisë.
“Gëzuar 28 Nëntorin, Shqipëri! Gëzuar Ditën e Pavarësisë!
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ju uron festa të gëzuara!”, thuhet në reagim.
Reagimi i delegacionit te BE
Kurti uron 113-vjetorin e Pavarësisë: T’i kthejmë sytë nga ‘Nëntori i Tretë’, me punë dhe përkushtim të përbashkët nga e ardhmja

Nuk dihet të ketë një tjetër komb në botë që fati i tij të jetë ndërthurur kaq pazgjidhshmërisht me një datë të caktuar ashtu siç gërshetohet data 28 Nëntor me fatin e kombit tonë. Kjo ditë e 28-të e muajit të njëmbëdhjetë vërtet ishte një aksident historik i vitit 1443, por një aksident i këtillë, i përsëritur me kaq ngulm përgjatë historisë, doemos u kthye dhe u bë një shenjë e shenjtë e kalendarit tonë kombëtar. Në këtë datë, mbi Kështjellën e Krujës, u ngrit flamuri kuq e zi i Kastriotëve, që u kthy e u bë edhe flamur yni kombëtar. Kështu nisi rrugëtimi i nëntorëve tanë që erdhën e u lidhën si hallka të një zinxhiri të pashkëputshëm, duke shënuar jo vetëm data kalendari, por edhe rrugën e lirisë sonë.
Pas shumë shekujsh, më 28 nëntor 1912, ky flamur u ngrit prapë në Vlorën e Labërisë, kur u shpall mëvetësia e Shqipërisë së sotme Administrative. Ky ishte Nëntori ynë i Dytë. Në këtë shpallje u njëmendësua një pjesë e projektit larpamës të Sami Frashërit, i cili kishte paraparë një Shqipëri në kufijtë e përafërt të katër vilajeteve. Ai theksonte qartë që “qëllimi i vetëm i shqiptarëve është të ruajnë Shqipërinë të mos copëtohet prej të huajve, të mbajnë gjuhën e kombësinë e tyre”. Por kjo, për fat të keq, në atë kohë u arrit vetëm pjesërisht. Për më tepër, në kujtimet e tij, në përvjetorin e parë të pavarësisë, në vitin 1913, Luigj Gurakuqi shprehej se “në jetën e kombevet, si edhe në jetën e njerëzve ndodhin hera-herë disa rasa të paprituna, që trazojnë rrjedhën e punëve dhe shkaktojnë disa ngjarje, që as nuk pritej, as nuk shpresohej të ndodhnin. Ashtu kishte ngjarë në vitin 1912, mot i mbushur me mjerime e me pësime, por që, në mes të trazimeve e të ligave të panjohura, kishte sjellë edhe nji send të pashpresuar e të paçmueshëm, dmth. lirinë, bashkimin dhe pavarsinë e Atdheut!”
Megjithëkëto, historia e nëntorëve tanë nuk mbaron këtu. Në po këtë datë, në vitin 1955, në kullat e Jasharëve në Prekaz lindi Kryekomandanti i UÇK-së, Adem Jashari, njeriu që do të vihej në ballë të luftës për lirinë e Kosovës. Po ashtu, më 28 nëntor të vitit 1997, UÇK-ja, për herë të parë, doli publikisht për t’ia bërë me dije botës se ky popull ishte i gatshëm të bënte çdo flijim dhe nuk do të hiqte dorë kurrë nga lufta për liri. Gjithë këto përpjekje, luftëra e flijime të atdhetarëve shqiptarë nëpër shekuj janë kurorëzuar sot me Shqipërinë e pavarur dhe me Kosovën e pavarur.
Natyrisht, si komb evropian, sytë i kemi të kthyer kah e ardhmja, kah një Nëntor i Tretë, që duhet të vijë nëpërmjet përpjekjeve tona, punës dhe përkushtimit tonë të vazhdueshëm. Ky Nëntor i Tretë, edhe nëse nuk do të bjerë në këtë ditë, edhe nëse nuk do të jetë muaj i nëntorit, ne mund ta pagëzojmë që sot si 28 Nëntori ynë i Tretë. Atëherë amaneti i të gjithë atdhetarëve shqiptarë, të gjallë e të vdekur, do të përmbushet. Urojmë që kjo ditë të vijë sa më shpejt!
Vëllezër shqiptarë e motra shqiptare, kudo që gjendeni, mes familjeve e miqve tuaj, në këtë ditë gëzimi e feste:
Gëzofshi 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit!
Marco Rubio uron shqiptarët për 113 vjetorin e Pavarësisë: SHBA dhe Shqipëria, partneritet të fortë! Mezi pres të zgjerojmë bashkëpunimin tonë
Një mesazh urimi për 113-vjetorin e Pavarësisë ka ardhur edhe nga SHBA. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio uron në emër të SHBA popullin shqiptar, ndërsa vlerëson partneritetin e fortë me Shqipërinë.Në një deklaratë zyrtare, Rubio vë theksin edhe te aleanca e NATO-s, si një themel i mbrojtjes së përbashkët, ndërsa shton se mirëpret edhe investimet në rritje të Shqipërisë në këtë aspekt.Ndalet gjithashtu edhe te partneriteti me zbatimin e ligjit në Shqipëri kundër grupeve kriminale dhe trafikut të drogës, Rubio thotë se mezi pret që të forcojnë bashkëpunimin mes vendeve në fusha të ndryshme.
“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dua të uroj popullin e Shqipërisë ndërsa festoni Ditën e Pavarësisë.
Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria gëzojnë një partneritet të fortë, të ndërtuar mbi një angazhim të përbashkët për një të ardhme më të sigurt dhe më të begatë. Aleanca jonë në NATO është themeli i mbrojtjes sonë të ndërsjellë dhe ne mirëpresim investimet në rritje të Shqipërisë në sigurinë tonë kolektive. Përveç kësaj, partneriteti ynë me zbatimin e ligjit në Shqipëri i bën qytetarët tanë më të sigurt ndërsa përballemi me kërcënimet e paraqitura nga grupet kriminale transnacionale, kartelet e trafikut të drogës dhe ata që bashkëpunojnë me to.
Ne gjithashtu e vlerësojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë në adresimin e kërcënimeve kibernetike dhe e përgëzojmë Shqipërinë për hapat e saj të rëndësishëm në sigurinë kibernetike. Ndërsa shënojmë këtë ditë të veçantë, mezi presim të zgjerojmë bashkëpunimin tonë në fushën e sigurisë, lidhjet ekonomike dhe miqësinë e qëndrueshme me Shqipërinë.”, thuhet në reagim.
113-vjetori i Pavarësisë, Meta uron nga qelia: Patriotizmi e sakrificat duhet të na udhëheqin drejt rrugës së drejtë në mbrojtje të Shqipërisë
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka uruar 113 vjetorin e Pavarësisë. Në një postim në rrjete sociale, ish-presidenti shprehet se përulen me respekt dhe nderim para Gjergj Kastriotit, Ismail Qemalit, Isa Boletinit dhe Adem Jasharit dhe figurave të tjera që mbrojtën identitetin dhe dinjitetin e kombit shqiptar.Ai shprehet se patriotizmi dhe sakrificat duhet të jenë drita që na udhëheq drejt një rruge të drejtë në mbrojtje të Shqipërisë.
“Gëzuar Ditën e Flamurit Kombëtar, simbolit më përbashkues, më të shenjtë dhe më të dashur për çdo shqiptar kudo ndodhet. Si çdo 28 Nëntor, përulemi me respekt dhe nderim të thellë para veprës së pavdekshme të Gjergj Kastriot Skënderbeut, Ismail Qemalit, Isa Boletinit dhe Adem Jasharit, që me qëndresë, sakrifica sublime dhe vizion mbrojtën identitetin dhe dinjitetin e kombit shqiptar.
Përjetë mirënjohës Atit të Shqipërisë dhe themeluesit të shtetit tonë modern, Ismail Qemalit, i cili 113 vite më parë, së bashku me Etërit e Pavarësisë, shpallën në Vlorë më 28 Nëntor 1912 Pavarësinë e Shqipërisë. Patriotizmi, sakrificat dhe gjaku i derdhur për Flamurin Kombëtar duhet të mbeten pishtari ynë i përhershëm, drita që na ndriçon mendjet, na hap sytë dhe na udhëheq drejt rrugës së drejtë për të mbrojtur Shqipërinë, sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, ku sot dhe mot pas moti shqiptarët dhe fëmijët e tyre meritojnë të jetojnë në liri, me dinjitet, krenarë dhe të begatë.
Gëzuar Ditën e Pavarësisë, Shqipëria jonë e dashur! “, shkruan Meta.
113 vite shtet, kryeministri Rama uron: Gëzuar Ditën e Pavarësisë!

“Mirëmëngjes dhe Gëzuar Ditën e Pavarësisë”.