Ndërhyrja e djeshme FSK-së në veri për një mision humanitar është kthyer në reagime të ashpra diplomatike. Njësitet e specializuar të zhytjes dhe kërkim shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, janë angazhuar ditën e djeshme në mbështetje të autoriteteve civile për kërkimin e trupit të mërgimtarit 33 vjeçar, i cili të dielën pasdite është hedhur në liqenin e Ujmanit dhe nuk është parë më.
Disa orë pas angazhimit të FSK-së është gjetur trupi i pajetë. Paraprakisht, operacioni i FSK-së e ka marrë dritën e gjelbër nga misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, me arsyetimin se ka të bëjë me qëllime humanitare.
Lëvizja Vetëvendosje i ka bërë jehonë shkuarjes së FSK-së në veri të vendit në angazhimin për të gjetur trupin e mërgimtarit të zhdukur, duke shkruar se FSK-ja shkoi për herë të parë si ushtri atje.
“FSK për herë të parë si ushtri në veri të vendit”, u tha në postimin e VV-së, menjëherë pasi Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dha lajmin se FSK-ja është angazhuar në kërkimin e trupit të 33 vjeçarit që u hodh në Liqenin e Ujmanit.
Ambasada e Gjermanisë në Kosovë në një reagim më pas, ka shprehur shqetësimin e thellë ndaj përpjekjeve për ta politizuar zbarkimin e një ekipi të kërkim-shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Liqenin e Ujmanit.
Sipas Ambasadës, deklaratat që e paraqitën këtë mision si “operacioni i parë i FSK’së në veriun e Kosovës”, e keqinterpretojnë qëllimin dhe frymën e këtij angazhimi.
“Po aq shqetësuese janë edhe akuzat për manipulim me fotografi – konkretisht, heqja e elementëve të dukshëm të shoqërimit të KFOR-it – për të promovuar narrativë të rrejshme. Veprime të tilla rrezikojnë të minojnë besimin e publikut dhe të heqin vëmendjen nga fokusi humanitar i misionit”, thuhet në reagim.
Ambasada ka thënë se vdekja e 33-vjeçarit duhet të jetë një moment zie kolektive, dhe jo një rast për përfitime politike.
Ndaj këtij deklarimi, reagoi zëdhënësi i VV-së, Arlind Manxhuka.
Manxhuka ka thënë se në postimin e nxjerrë nga VV me një fotografi nuk ka asnjë manipulim.
“Në fotografitë dhe linqet më poshtë mund ta shihni qartazi që nuk ka asnjë manipulim dhe fotografitë janë të vërteta e lehtësisht të vërtetueshme. Është shumë me rëndësi që në epokën e lajmeve të rreme reagimet të jenë të bazuara në fakte dhe të vërtetën dhe jo të shtresëzohen mbi lajme të rreme. Në të vërtetë vet lajmi për manipulimin e fotografisë nga ana e VV-së është fake neës çka duhet se ju ka vendosur në lajthitje edhe vet juve”, ka shkruar Manxhuka.
Reagoi ashpër edhe ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot.
Guerot ka shprehur mbështetjen e tij për KFOR-in, teksa tha se do të vazhdojë t’i ofrojë mbështetjen e nevojshme “në një kontekst ku dezinformimi dhe manipulimi i informacionit po bëhen sistematike”, duke aluduar për publikimin e fotografisë nga VV ku shiheshin automjetet e FSK’së duke shkuar në Veri pa KFOR’in, shkruan Reporteri.net.
“Franca mbështet plotësisht KFOR-in dhe Komandantin e tij. Që nga krijimi i tij, KFOR-i ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol të pazëvendësueshëm në sigurimin e sigurisë për të gjithë. Ai meriton respektin dhe mirënjohjen e të gjithë aktorëve në rajon. Franca do të vazhdojë t’i ofrojë misionit gjithë mbështetjen e nevojshme në një kontekst ku dezinformimi dhe manipulimi i informacionit po bëhen sistematike”, ka shkruar Guerot.