Një postim i Mevlan Ademit në rrjetet sociale ka tërhequr vëmendje, pasi ai ka ngritur sërish çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në tabelat rrugore në Maqedoninë e Veriut.
Duke bërë një krahasim mes qytetit italian të Riminit dhe Shkupit, Ademi shkruan se Rimini ofron tabela edhe në gjuhën shqipe për t’u ardhur në ndihmë turistëve shqiptarë, ndërsa, sipas tij, Shkupi ende nuk e zbaton plotësisht një të drejtë që qytetarët shqiptarë e kanë të garantuar.
“Pse e ofron Rimini tabelën shqip për një udhëtar, ndërsa Shkupi ia mohon këtë të drejtë qytetarit të vet? Sepse Rimini pa kompleks ofron mikpritje e bën biznes me shqiptarët. Shkupi po bën politikë me ta”, shkruan Ademi.
Ai shton se në Itali përdorimi i shqipes bëhet si shenjë mikpritjeje, ndërsa në Maqedoninë e Veriut, sipas tij, kjo është një detyrim që buron nga kuadri kushtetues dhe ligjor.
Postimin e përmbyll me një mesazh ironik: “Ohri e ka thënë. Tabela ende po bën loading”, duke lënë të kuptohet se zbatimi i plotë i përdorimit të gjuhës shqipe vazhdon të jetë objekt debatesh.
Tetovasot raporton se postimi ka nxitur reagime dhe diskutime të shumta në rrjetet sociale.
Postimi i Mevlan Ademit ngjall reagime: “Rimini e shkruan shqipen, Shkupi ende po bën loading”
3