Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka është “kapur mat” në një nga kafenetë në kryeqytet me moderatorin e RTK-së, Bleriam Haxhiaj i cili pak ditë më parë pati një intervistë siç u cilësua “e butë, “ledhatuese” dhe “servilosje” ndaj Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Por, këtë “kapje mat” nga Klan Kosova e ka bërë të ditur vetë zëdhënësi i VV-së, Arlind Manxhuka.
“Sapo isha në takim me gazetarin Blerim Haxhiaj në një lokal në mes të Prishtinës. Erdhi nje gazetare e KlanKosovës, kinse me telefon duke biseduar me dikë, ndërkohë shihej butoni i “Start/Pause” nga aeroplani, ishte duke na incizuar. Ftojmë t’i ndjekin edhe takimet me gazetarë/moderatorë të tjerë”, ka shkruar Manxhuka në Facebook.
Ky takim mes tyre, vjen pak ditë pasi Kurti pati në RTK intervistën me Haxhiajn, e cila ngjalli reagime të shumta në vend, ku gazetarë e opinionistë e vlerësuan si servilosje të pushtetit në pyetjet “sfiduese” që ai i bëri Kryeministrit në Detyrë.
Madje për RTK-në kritikat e shumta u konsideruan “fushatë linçuese” ndaj moderatorit Blerim Haxhiaj.
“Çdo përpjekje për të denigruar, intimiduar apo diskredituar një gazetar për shkak të pyetjeve apo mospyetjeve të tij, përfaqëson sulm të drejtëpërdrejt ndaj lirisë së medias dhe rolit të saj në një shoqëri demokratike”, thuhej mes tjerash në reagimin e Sindikatës së RTK-së.