Ish-kryeministri socialist Fatos Nano është i shtruar në spital privat në Tiranë në gjendje të rënduar shëndetësore, pas një arresti kardiorespirator. Ai ndodhet prej 13 ditësh reanimacion, ndërsa dje pësoi dhe një arrest kardiak. Sipas burimeve nga spitali gjendja është përkeqësuar dhe ai nuk është më koshient.
Prej kohësh, lideri historik i PS vuan nga një problem kronik respirator, që njihet edhe si SPOK.
Fatos Nano, 73 vjeç është themeluesi dhe kreu i parë i Partisë Socialiste të Shqipërisë. Ai ishte njeriu që bëri të mundur transformimin e ish Partisë së punës që vinte nga trashëgimia komuniste, në një forcë që i rezistoi pluralizmit politik, si një aktore me peshë në skenën shqiptare.
Nano ka qenë kryetar i Partisë Socialiste nga 12 qershori i vitit 1991 e deri në vitin 2005, kohë kur u shkëput nga politika. Një përpjekje e tij e mëvonshme për postin e kreut të shtetit, nuk u mbështet nga Partia socialiste, drejtimin e së cilës e kishte marrë Edi Rama. Gjatë viteve të angazhimit në politikë, që nga viti 1991, ai shërbeu 4 herë si kryeministër i vendit.