Ndonëse u paralajmëruan që nga viti i kaluar, nëpër tualetet e shkollave në Tetovë nuk janë vendosur ende detektorët e tymit, për të parandaluar pirjen e cigareve dhe lëndëve tjera narkotike nga nxënësit, shkruan Portalb.mk.
I pyetur se pse nuk janë vendosur detektorët e tymit nga shtatori i këtij viti, ashtu siç u paralajmëruan, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se të njëjtat do të vendosen, por nuk tregoi se kur.
“Ne kemi marrë masa me drejtoritë e shkollave që të ketë përkujdesje shtesë për sa i përket këtyre dukurive devijante që në ndërkohë të vazhdojë procesi i instalimit të detektorëve. Ajo që është marrë si garancë nga drejtoritë e shkollave, do të ketë kontrolle shtesë dhe nuk do të lejohet që fëmijët dhe nxënësit nëpër shkolla të përdorin cigare apo të konsumojnë lëndë të tilla”, tha Kasami.
Vendosja e detektorëve të tymit u paralajmërua në tetor 2024 pas një debati me Këshillin Komunal për Parandalimin e Delikuencës së të Miturve.
Ndërsa nga Komuna e Tetovës në mars 2025 thanë se me fillimin e vitit të ri shkollor në shtator, detektorët pritet që të jenë funksionalë.
Përndryshe, probleme tjera devijante në shkollat e Tetovës mbetet dhuna, përdorimi i narkotikëve, lojërat e fatit dhe të tjera.