Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, gjatë mandatit të tij të parë nuk i ka realizuar të gjitha premtimet e programit zgjedhor ‘Me ka krejt për Tetovën’ 2021-2025 me të cilin fitoi zgjedhjet e kaluara lokale. Kasami do të garojë edhe për një mandat të dytë në zgjedhjet e 19 tetorit. Portalb.mk sjell një pasqyrë të premtimeve konkrete se çfarë realizoi dhe çfarë jo Kasami për katër vite në krye të Tetovës.
Premtimet e parealizuara:
Ndërtimi i parkingjeve në zonën qendrore, së paku dy parkingje në kate dhe në zona tjera me sistem montimi.
Ndërtimi i tregjeve komunale.
Policia komunale.
Partneritet publiko-privat për ndërtimin e një fabrike për reciklimin e mbeturinave.
Hapja e bulevardit Qendër-Ilinden.
Ndërtimi i katër pishinave të mbyllura në kuadër të shkollave të mesme.
Të gjithë shkollat fillore të jetë me një ndërrim.
Ndërtimi i objektit të ri shkollor në lagjen Migjeni.
Ndërtimi i objektit të ri shkollor në fshatin Xhermë.
Ndarja e bursave komunale për nxënësit e dalluar.
Festivali Folklorik Ndërkombëtar i Tetovës.
Teatri për Fëmijë në Tetovë
Ndërtimi i bujtinave atraktive me enterier tradicional në Malësinë e Tetovës.
Sigurimi i fondeve për gjurmime arkeologjike në Kalanë e Tetovës dhe restaurimi i saj.
Teatri Veror në kuadër të Kalasë së Tetovës.
Revitalizimi i teqesë Arabati Baba.
Ndërtimi i Kullës së Sahatit.
Ndërtimi i Urës së Kazazëve.
Ndërmarrje komunale rentabile dhe investime publike.
Subvencione përmes granteve të pakthyeshme për ide kreative biznesore.
Rregullimi i stazave natyrore dhe hapja e shtigjeve të reja nga qyteti deri në Kala dhe Banjën e Tetovës.
Ndërtimi i fushave sportive multifunksionale në fshatrat e malësisë së Sharrit.
Lehtësimi i tatimeve dhe taksave komunale.
Premtimet gjysmë të realizuara
Rrjet i ri i ujësjellësit dhe kanalizimeve. Në Tetovë nuk u bë rrjeti i ri i ujësjellësit dhe kanalizimeve, megjithatë në katër vite janë kryer punime në pjesë të ndryshme të qytetit në këtë drejtim. Pavarësisht se ka pasur intervenime, qytetarët në këto katër vite janë përballur me mungesa, restrikcione dhe probleme të ndryshme të furnizimit me ujë.
Zgjidhje afatgjate e problemit me qentë endacakë. Pavarësisht trajtimit dhe tenderëve të ndryshëm, ky problem nuk është zgjidhur në tërësi ndërsa qentë endacakë vazhdojnë të përbëjnë kërcënim për sigurinë publike të qytetarëve.
Vazhdimi i bulevardit Bllagoja Toska. Ky bulevard u hap vetëm te pjesa e urës ndër Spitalin e Tetovës. Pjesa nga mbi Kazermën për në rrugën rajonale Tetovë-Jazhincë nuk ka përfunduar ende për pak metra. Nuk është bërë vazhdimi as me lidhjen me bulevardin “Ilinden” te rrethrrotullimi te Mema.
Vazhdimi i Bulevardit Video Smilevski Bato. Ky bulevard vazhdoi nga pjesa nën Kazermën e qytetit, i njohur ndryshe si “Aeroporti i Tetovës” rruga mbeti pa dalje dhe lidhje me rrugën rajonale Tetovë-Jazhincë.
Revidimi dhe zgjerimi i planit urbanistik. Plan të detajuar për Kodrën e Diellit, Reçicën e Vogël, Lagjen Dardania, Sheshin Iliria, Lagjen Drenovec, Lagjen e Kazermës. Ky proces ka filluar, por nuk ka përfunduar. Plani Gjeneral Urbanistik i ri për qytetin pritet të miratohet në vitin e ardhshëm 2026.
Llogaridhënie permanente për shpenzimin e mjeteve publike. Komuna e Tetovës pjesërisht ka treguar për shpenzimet e parave. Por shpesh ata nuk kanë treguar se për çfarë dhe ku kanë shkuar shumë mjete publike. Si për shembull, Portalb.mk nxori në pah se nga viti 2022 deri në 2025, Komuna e Tetovës së bashku me ndërmarrjet publike “Tetova Transport” dhe “Sharri” kanë shpenzuar mbi 1.6 milionë euro në kontrata për punësime të përkohshme përmes Agjencisë private për punësim “Xhob 2011”. Komuna nuk i ka bërë publik emrat ende. Si dhe në disa rate të tjera komuna nuk ka dhënë detaje për tendere të dyshimta.
Ndërtimi i objektit të ri shkollor në Sellcë. Ky objekt është ndërtuar, por ende nuk është lëshuar në përdorim për nxënësit, pritet që të jetë i gatshëm në vitin shkollor 2026/2027.
Lëvizja Besa nuk do lejojë ndërtime pa leje. Në Tetovë periudhën e fundit në Komunën e Tetovës shpërthyen disa ‘krime’ urbanistike, si legalizimi me shumë shkelje i vikend shtëpizës së Faton Murselit në Kodrën e Diellit dhe ndërtimi i ndërtesave me më shumë kate se të planifikuara, si dhe raste të tjera.
Restaurimi i stadiumeve dhe terreneve argëtuese në kuadër të shkollave. Në disa shkolla të qytetit janë rikonstruuar terrenet sportive, megjithatë në shumë të tjera ata mbeten të dëmtuara.
Funksionalizimi dhe shtimi i terreneve sportive. Filloi rikonstruimi i stadiumit të qytetit, me projektin janë të parapara edhe Qendra Sportive dhe Rekreative e qytetit si dhe terreni sportiv në fshatin Saraqinë.
Modernizim i njësisë së zjarrfikësve. Te kjo njësi ka pasur investime të ndryshme dhe donacione, megjithatë ata ende përballen me probleme të ndryshme.
Rregullimi i trotuareve dhe i ndriçimit publik. Pavarësisht ndërhyrjeve, në shumë pjesë të qytetit dhe fshatrave qytetarët përballen me trotuare të dëmtuara dhe mungesë të ndriçimit publik.
Rregullimi i sinjalizimit horizontal dhe vertikal. Pavarësisht punimeve dhe rikonstruimeve, sinjalizimi rrugor në disa pjesë të qytetit mbetet i dëmtuar.
Pastrimi dhe larja e bulevardeve, rrugëve dhe trotuareve. Kjo është bërë pjesërisht, kryesisht në rrugët kryesore, ndërsa në ata dytësore shumicën e kohës jo.
Partneritet me qytetarët, duke ofruar mundësi për të marrë pjesë në vendimmarrje. Në komunën e Tetovës janë mbajtur me dhjetëra debate publike ku qytetarët kanë propozuar idetë e tyre, megjithatë nuk mund të thuhet se ata kanë marrë pjesë direkt në vendimmarrje.
Premtimet e realizuara
Zgjidhje e transportit publik në Komunën e Tetovës.
Mbështetje financiare për shoqëritë kulturore artistike të Tetovës.
Mbështetje e klubeve sportive.
Themelimi i qendrës informuese për turistët.
Ditë të hapura për qytetarët.
Orar fleksibil i institucioneve komunale me fillim nga ora 07:30 deri në 08:30 dhe mbarim deri në 15:30 deri 16:30.
Vendosja e pajisjeve ekologjike për lëvizje në vende të caktuara në qytet.
Në këto zgjedhje lokale për kryetar të Komunës së Tetovës garojnë gjashtë kandidatë, por rrethi i dytë pritet të zhvillohet midis kryetarit aktual të komunës, Bilall Kasamit nga VLEN dhe Bajram Rexhepit nga AKI. Në Komunën e Tetovës këto zgjedhje të drejtë vote kanë 87,878 qytetarë.
Ndryshe, këto janë zgjedhjet e teta lokale që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut.
Rrethi i parë do të mbahet më 19 tetor, ndërsa rrethi i dytë më 2 nëntor.
Fushata për rrethin e parë ka filluar më 29 shtator dhe do të zgjasë deri më 17 tetor, ndërsa fushata për rrethin e dytë do të vazhdojë deri më 31 tetor.