Ndërtimi i katër pishinave të mbyllura në Tetovë mbetet premtim i parealizuar i Komunës së Tetovës, shkruan Portalb.mk.
Në programin zgjedhor ‘Me ka krejt për Tetovën’ 2021-2025 me të cilin kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami garoi dhe fitoi në zgjedhjet e fundit lokale tetorin e vitit 2021, mes tjerash përmend edhe ndërtimin e katër pishinave të mbyllura në kuadër të shkollave të mesme.
Te pjesa e rinisë dhe sportit, konkretisht në faqe 17 thuhet:
“Brenda katër viteve do të ndërtojmë së paku 4 pishina të mbyllura në kuadër të shkollave të mesme. Në bashkëpunim me pishinat private dhe shkollat do të hartojmë programe konkrete dhe trajnime për nxënësit e shkollave të qytetit”.
Por, tre vite e gjysmë më vonë prej kur Kasami erdhi në krye të Komunës së Tetovës, kjo pikë e programit nuk është realizuar në terren.
E pyetëm Kasamin se pse nuk është realizuar kjo pikë, ai u arsyetua se së shpejti do të nisin punimet për dy pishina në shkollat fillore.
“Kemi një plan gjithëpërfshirës për përmirësimin e kushteve në shkollat tona. Në kuadër të kësaj besojmë që shpejtë do të nisin procedurat për furnizim publik për tender për ndërtimin e dy pishinave te shkollat “Kirili” dhe “Naim Frashëri”, bëhet fjalë për financim nga i ashtuquajturi kredia hungareze…Deri tash kemi ndërtuar tre, është te qendra sportive edhe këto dyja”, tha Kasami.
Por kur u pyet se ende nuk janë ndërtuar këto dy pishina, Kasami tha:
“Me vetë faktin që do të nisin punimet brenda mandatit, sigurisht që do të insistoj. Nga momenti, ajo është çështje e tenderimit, nga momenti kur do të nënshkruhet kontrata aty do të përcaktohet plani, dinamika e investimit, kërkesa jonë do të jetë që ajo mos të zgjasë më shumë se një vit”.
Megjithatë, këto dy pishina nuk kanë filluar të ndërtohen ende, ndërkaq pishina te qendra sportive nuk është ndërtuar në mandatin e Kasamit, e njëjta filloi të ndërtohet nga Agjencia për Rini dhe Sport në vitin 2020, dhe iu dorëzua më pas Komunës së Tetovës në vitin 2022.