Presidenti Bajram Begaj, ka firmosur sot një sërë dekretesh që sjellin ndryshime të rëndësishme në trupin diplomatik shqiptar. Në vendimin e tij, kreu i shtetit ka liruar nga detyra disa ambasadorë dhe ka emëruar të rinj, duke riorganizuar përfaqësimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Donika Hoxha, e cila mbante postin e ambasadores në Kroaci dhe Bosnjë dhe Hercegovinë, u lirua nga detyra vetëm për Bosnjën dhe Hercegovinë, ku ishte jo rezidente. U lirua nga detyra edhe Dastid Koreshi nga Misioni i Shqipërisë pranë Këshillit të Evropës në Strasburg, si dhe Eglantina Gjermeni nga Misioni i OSBE-së dhe organizatat ndërkombëtare në Vjenë.
Në vend të tyre, Presidenti Begaj ka dekretuar emërime të reja: Spiro Koçi do të jetë ambasador rezident në Bosnjë dhe Hercegovinë, Florian Nova do të përfaqësojë Shqipërinë në Egjipt si rezident dhe në disa vende të Lindjes së Mesme si jo rezident, ndërsa Elvira Isufi do të marrë detyrën e ambasadores në Suedi, me përgjegjësi edhe për Finlandën, Islandën dhe Norvegjinë si jo rezidente. Po ashtu, Dastid Koreshi është emëruar ambasador në Misionin e Shqipërisë pranë Zyrës së Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera ndërkombëtare në Gjenevë.
Ndërkohë, ambasadori aktual në Japoni, Ermal Muça, i cili mbulon edhe Filipinet, Indonezinë, Singaporin dhe Malajzinë si jo rezident, është ngarkuar me një detyrë të re: përfaqësimin e Shqipërisë në Korenë e Jugut, gjithashtu si jo rezident.