I shoqëruar nga autoritete vendore, deputetë, përfaqësues të komuniteteve fetare dhe të shoqërisë civile, Presidenti vendosi një kurorë në monumentin kushtuar Kuvendit të Sinjës dhe vizitoi muzeun përkujtimor.
Gjatë vizitës, u prit nga kryetari në detyrë i Bashkisë Berat, z. Ervin Ceca, me të cilin diskutoi për projektet zhvillimore dhe edukative në nivel lokal.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Begaj theksoi se Kuvendi i Sinjës ishte një akt i madh bashkimi dhe guximi kombëtar.
“Kuvendi i Sinjës ishte parathënia e shpalljes së Pavarësisë. Një vendim i guximshëm për të lënë mënjanë ndasitë dhe për t’u bashkuar për shpëtimin e Shqipërisë”, – tha ai.
Duke e cilësuar historinë si “jo thjesht kujtim, por pasqyrë”, Presidenti nënvizoi nevojën për unitet kombëtar përballë sfidave të kohës moderne: nga siguria e deri te zhvillimi ekonomik dhe ruajtja e identitetit kulturor e kombëtar.
“Na duhet më shumë se kurrë fryma e Sinjës – fryma e bashkimit, e besimit dhe e përgjegjësisë së përbashkët”, – theksoi Kreu i Shtetit.
Në mesazhin e tij drejtuar të rinjve, Presidenti Begaj i ftoi të shohin historinë jo si një rrëfim viktimash, por si histori qëndrese dhe ringritjeje. Ai i inkurajoi të punojnë për një Shqipëri më të drejtë, më të bashkuar dhe më të denjë.
“Ashtu si brezat e Sinjës që zgjodhën lirinë, brezi i sotëm duhet të zgjedhë dinjitetin dhe zhvillimin”, – u shpreh Presidenti.
Ceremonia përkujtimore u mbyll me një thirrje për më shumë ndershmëri dhe frymëzim nga vlerat e Rilindjes Kombëtare.
Presidenti vizitoi gjithashtu muzeun e Sinjës, ndërsa bëri apel për rritjen e vëmendjes ndaj edukimit historik të të rinjve, përmes vizitave në institucione muzeale e përkujtimore.