Presidenti i Këshillit Ekonomik dhe Social Evropian, Olver Ropke, ka përgëzuar Shqipërinë dhe vende të tjera aspirante për në Bashkimin Europian, se po bëjnë reforma me standard më të lartë edhe se disa shtete anëtare të unionit.
Në një intervistë për “EuNews.it”, Olver Ropke i sheh pozitivisht reformat në disa shtete aspirante.
“Ne po shohim përparim në disa vende, megjithëse mbetet shumë punë për t’u bërë”, thotë ai.
Ropke thekson se në Shqipëri dhe shtete të tjera po bëhen reforma me standard më të lartë edhe se disa vende që janë tashmë pjesë e BE-së.
“Në disa raste, standardet janë edhe më të larta se në vendet anëtare të BE-së. Nëse marrim lirinë e shtypit, për shembull, do të shohim se Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi kanë rezultate më të mira se Bullgaria, Kroacia, Qiproja, Greqia, Hungaria, Italia, Malta dhe Rumania. Lidhur me reformën e gjyqësorit, vende si Shqipëria po bëjnë hapa gjigandë, megjithëse problemet vazhdojnë në fusha të tjera, të tilla si transparenca dhe antikorrupsioni”, deklaroi Presidenti i Këshillit Ekonomik Evropian.
Por ai shtoi se në vende të tjera, si në Gjeorgji, Serbi e Turqi nuk po bëhet përparimi i nevojshëm.
Ropke vuri gjithashtu në dukje se ka besim te puna e Presidentes së KE, Ursula Von der Leyen, dhe Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, për të çuar përpara zgjerimin e unionit bazuar në meritë.
“Jam i kënaqur që kjo rrugë u përshpejtua për disa vende, veçanërisht për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Ukrainën”, shtoi Ropke, duke shpresuar se “nëse vendet përmbushin kërkesat, mund të mbyllen negociatat deri në vitin 2028”.