Nga fillimi i vitit 2026, qytetarët do të pajisen me një Identitet Dixhital, një portofol virtual në telefon që do të përfshijë të gjithë dokumentet personale si karta e identitetit, leja e drejtimit, diploma apo çertifikata të ndryshme. Kryeministri Edi Rama tha se edhe BE synon të bëjë një gjë të tillë deri në vitin 2027. Sipas tij, Shqipëria do të jetë një vit para Unionit në këtë aspekt.
“Në dijeninë time, çfarë po demonstrohet sot, do të jetë në dispozicion të publikut dhe të raportit mes qytetarit e shtetit dhe të ekonomisë tonë në fillim të vitit të ardhshëm. BE po ashtu po përgatitet për identitetin dixhital, dhe objektivi i shpallur i BE është që në 2027 qytetarët e BE të mund të pajisen me identitetin e tyre dixhital. Ne do të jemi një hap më para dhe e theksoj këtë jo për të nënkuptuar apo afirmuar ndonjë përparësi tonën por për të rikujtuar se përparësia që teknologjia i jep çdo vendi që e përqafon atë dhe që i drejtohet asaj për të kapërcyer pengesa që nganjëherë janë edhe historike, është që personalisht e quaj bekim i kësaj kohe se përmes teknologjisë dixhitale “, tha Rama.
Kreu i qeverisë e cilësoi këtë mjet si një instrument të domosdoshëm për të realizuar kalimin nga para cash në transaksione dixhitale, duke sjellë më shumë siguri për konsumatorët, transparencë për biznesin si dhe do të luftojë informalitetin.
“Është një instrument i domosdoshëm për të realizuar planin tonë të kalimit nga para cash në transaksionet dixhitale dhe kjo domethënë shumë më tepër siguri për konsumatorët, transparencë për biznesin dhe të ardhura nga ajo pjesë që i takon konsumatorit dhe që në një masë të madhe mbetet jashtë duarve të tij për shkak të informalitetit e trukeve të ndryshme që do të reduktohen maksimalisht dhe asgjesohen plotësisht falë transaksioneve dixhitale që është Tatimi mbi Vlerën e Shtuar”, shtoi ai.
Përmes teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale, tha kryeministri, do të krijojnë kushte dhe premisa të reja edhe për shërbimin shëndetësor, arsimor dhe të sistemit të transportit. U ndal gjithashtu edhe te projekti Smart City, për të cilin tha se po ecin me hapa të shpejtë për fillimin e zbatimit të tij.
“Po ecim me hapa të shpejtë lidhur me fillimin e zbatimit të projektit të madh të Smart City, i cili do të na ndihmojë të dixhitalizojmë përmes kamerave inteligjente të gjithë sistemin e monitorimit të trafikut në qytetet tona duke filluar nga Tirana, do na ndiihmojë të kemi pamje shumë më mbështetëse për sa i përket mbledhjes së të dhënave në raport me ligjshmërinë dhe rendin publik, luftën kundër kriminalitetit. Po ashtu të kemi pamje kohë reale të ecurisë së jetës së përditshme në shkolla, ku falë këtij projekti do të rritet siguria dhe mundësia e prindërve për të ndjekur vijën e sjelljes së fëmijëve në shkollë jo thjesht në aspektin e momenteve kritike por në tërësi gjë që do të ndikojë në frekuentimin e shkollës, në uljen e fenomenëve shqetësues të bullizmit dhe në aspektin e angazhimit të vetë mësuesve”, u shpreh kryeministri.
Ndër të tjera, Rama tha se po punojnë edhe me kompaninë publike AlbTrace që kanë krijuar, përmes së cilës do të bëjnë gjurmueshmërinë në kohë reale të të gjithë produkteve, të rrisin kontrollet dhe sigurinë e produkteve si dhe të ulin informalitetin.
Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu theksoi se Identiteti Dixhital do përdoret kudo ku ndodhet qytetari, dhe do të ndryshojë mënyrën se si ndërveprojmë me shtetin, bankën apo biznesin. Sipas ministres, ky mjet do të shmangë burokracitë dhe do të ofrojë më shumë besim dhe me efikasitet.
“Imagjinoni portofolin tuaj digjital në telefon. Në xhepin e kujtdo, kudo që është, nga Tirana, deri në skajin më të largët. Aty, me një klikim, janë të gjitha dokumentat personale: karta e identitetit, leja e drejtimit të automjetit, diploma – gati pë ti përdorur kudo, në çdo vend të Europës. Të sigurta, të mbrojtura dhe të aksesueshme në çdo moment. Me këtë portofol, çdo qytetar mund të thotë: “Ky jam unë.” Në sekonda. Pa letra. Pa radhë. Pa vonesa. Në bankë, te noteri, në zyrat publike, me disa klikime, pa dokumente që humbasin apo firmosen disa herë. Për shtetin, kjo do të thotë shërbim 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, më pak burokraci, më shumë transparencë. Për biznesin, do të thotë më shumë besim, më shumë efikasitet. Identiteti digjital lidhet me biometrinë, me njohjen e fytyrës, me gjurmët e gishtave, me nënshkrimin elektronik.”, tha ajo.
Deri në vitin 2027, theksoi ministrja, Identiteti Digjital do të jetë pjesë e Portofolit Europian të Identitetit Digjital.
“Një realitet që do t’u lejojë qytetarëve të përdorin dokumentet e tyre në çdo vend të Europës. Vendet si Italia, Gjermania, Franca dhe shumica e shteteve të BE-së po ecin në të njëjtën rrugë. Sipas Komisionit Europian, deri në vitin 2030, 80% e qytetarëve europianë do të kenë një identitet dixhital funksional. Dhe përfitimet e pritshme, janë një impakt prej deri 13% rritje e PBB në një periudhë afatmesme, reduktim i kostove administrative me 30-50%, si dhe reduktim i rasteve të mashtrimit apo vjedhjes së të dhënave online me 80%. “, shtoi ajo.