Libri “Lidershipi” i diplomatit të njohur amerikan Henry Kissinger, është prezantuar në shqip, në një aktivitet në parkun “Eden” te Kryeministria. Libri përmban rrëfime mbi gjashtë udhëheqës botërorë, kurse parathënia në shqip është shkruar nga Kryeministri Edi Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare, në prezantimin e këtij libri, u shpreh se është privilegj që të jetë në këtë event. Ai theksoi se bota do të ishte ndryshe nëse Kissinger do të ishte ende pranë liderëve të globit për të ofruar strategji.
I pranishëm në prezantimin e librit të Henry Kissinger në Tiranë, ishte edhe ish-Kryeministri italian dhe ish-ministri i Jashtëm Massimo D’Alema.
“Përkthimi është goxha i shëndetshëm dhe të jep një lirshmëri në lexim edhe duke e pas lexuar më parë në variantin origjinal, pata çik frikë ta hap se thashë mos ndoshta do binte ajo fuqia e mprehtë e autorit, por përkthimi është goxha i shëndetshëm dhe dua t’i komplimentoj përkthyesit.
Është privilegj që kemi këtu sot një personalitet të politikës italiane dhe europiane, nuk ka nevojë për prezantim. Nuk i kam thënë që këtu janë të pranishëm edhe ambasadorët e Shqipërisë jashtë vendit, sepse janë ditët e konferencës së ambasadorëve dhe ka një përkthim optimal ky prezantim libri në konferencën e ambasadorëve dhe dua ta falenderoj Kryeministrin D’Alema për gatishmërinë për të qenë i pranishëm dhe për të folur këtu për një figurë politike të jashtëzakonshme. Çmim Nobel për paqe por edhe i akuzuar si kriminel lufte”, tha Kryeministri Edi Rama.
Sipas Kryeministrit, libri tregon më së miri aftësitë diplomatike të Henry Kissinger, për të cilin thotë se zor të ketë pasur një të dytë si ai në arenën ndërkombëtare. Sipas Ramës, motoja e diplomatit amerikan ka qenë ekuilibri i forcave.
“Libri ia vlen në shumë drejtime, por jam dakord me Kryeministrin D’Alema që momentet më spektakolare të librit janë hyrja dhe fundi, ku flet vetë autori. Është shumë befasues në fund një moment kur ai flet për atë që e përmendi Kryeministri, rënien e madhe morale në rritjen e pjerrësive, dallgëve, humnerave në situatën e sotme, dhe pastaj në momentin që të krijon të gjithë ndjesinë që më pak ose më shumë të gjithë e kemi nga koha e sotme, kalon tek pjesa fare e fundit, ku kujton takimin e tij në vitin 1967, me Adenaur, i cili ishte shumë i shqetësuar për të gjitha gjërat që jemi ne të shqetësuar sot, dhe pyet Kissingerin, i thotë a mendon se ka akoma sot mundësi që të ketë një udhëheqje me sens afatgjatë dhe a mendon se sot mund ta nxjerri bota një udhëheqës të vërtetë, në sensin e këndvështrimit të të gjithë librit. Pastaj Kissinger e vazhdon duke prekur nga e para disa prej personazheve që ka libri.
Ka një dritë shprese në fund të këtij tuneli ku ka hyrë bota, por natyrisht ashtu sikundër nuk mund të parashihej më parë se kush dhe si do dilte në një apo në një aspekt tjetër dhe si një figurë në mes të një situate krize të caktuar do të bëhej akullthyesi që do kthente përmbys të gjithë paradigmën, edhe ne nuk mund ta dimë as kur as si, e me radhë. Në këtë sens, ma ha mendja se zor të ketë pasur një të dytë në arenën e madhe të politikës ndërkombëtare, që të ketë pasur nga njëra anë njohjen kaq të thellë të historisë sa Henry Kissinger dhe nga ana tjetër mprehtësinë për të kapur në kohë se si mund të ndërhyhej dhe për të bërë atë që ai kishte fiksimin e tij absolut, ekuilibrin, ekuilibri i forcave”.
Studiuesi dhe gazetari Remzi Lani, në reflektim me tezat e Kissinger, tha se botës sot i mungojnë liderët e vërtetë.
Prezentë në prezantimin e librit në shqip të Kissinger ishin edhe të gjithë ambasadorët shqiptarë nëpër botë.