Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, mirëpriti sot, së bashku me drejtues të lartë të Policisë, në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme, Presidentin e Policisë çeke, Gjeneral Lejtnant Martin Vondrašk, të shoqëruar nga Zëvendëspresidenti i Policisë çeke, drejtues të lartë të Presidiumit të kësaj policie dhe nga Oficeri Ndërlidhës i Policisë çeke.
Qëllimi i takimit ishte intensifikimi dhe zgjerimi i bashkëpunimit dypalësh, jo vetëm në fushën e sigurisë dhe rendit publik, por edhe në menaxhimin e burimeve njerëzore, si dhe në luftën kundër krimeve kibernetike.
Drejtori Proda, gjatë fjalës së tij, e konsideroi bashkëpunimin me Policinë çeke historik, si dhe një aset të çmuar për përmirësimin e kapaciteteve policore, garantimin e sigurisë së qytetarëve tanë, që për hir të së vërtetës, nga Çekia ka një numër të madh vizitorësh e turistësh që vijnë në Shqipëri, si dhe përballimin e sfidave të kohës. Gjithashtu, Drejtori falënderoi ish-oficerin e kontaktit të Policisë çeke, z. Adriatik Shino, për punën e shkëlqyer ndër vite, që ka sjellë dhe këtë rritje të bashkëpunimit dhe besimit.
Proda ka garantuar homologun e tij se Policia e Shtetit është shumë e vendosur për të thelluar bashkëpunimin me Policinë çeke në drejtim të shkëmbimit të eksperiencave, hetimeve të përbashkëta në fushën e krimit kibernetik, përdorimit të mjeteve të avancuara dhe trajnimeve të oficerëve sipas standardeve europiane.
Ndërkaq, gjatë fjalës së tij, Gjeneral Lejtnant Vondrašk falënderoi Drejtorin e Përgjithshëm Proda për krijimin e një klime bashkëpunimi pa barriera, që ka sjellë një dëshirë dhe iniciativë të vetë drejtuesve të Policisë çeke për të bashkëpunuar me kolegët e Policisë shqiptare. Më tej, Gjenerali vlerësoi bashkëpunimin me Policinë e Shtetit si modelin më të mirë në Ballkanin Perëndimor, si dhe shprehu gatishmërinë për ta çuar më tej, duke kontribuar te sektorë të ndryshëm të Policisë, si ai kundër krimeve kibernetike, i Sallës së Komandimit dhe ai i Policisë Rrugore.
Në fund të takimit, Gjeneral Lejtnant Vondrašk ftoi Drejtorin e Përgjithshëm Ilir Proda për një vizitë në Çeki, për të diskutuar për mundësitë e Policisë çeke për ta mbështetur Policinë e Shtetit me projekte në fushat me interes të përbashkët.