Sipas fermerëve të Suk 1, vetëm katër ditë më parë një kilogram kastravec tregtohej me rreth 40 lekë, ndërsa aktualisht çmimi ka rënë në 20 lekë. Madje, në disa raste nuk po blihet fare. Ata theksojnë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kastraveci tregtohej me 50 lekë. Kjo situatë ka bërë që prodhimi të dalë nën kosto, duke i vendosur përballë humbjeve të mëdha.
“Me këto çmime nuk mbulojmë as shpenzimet minimale, nuk ia del as ta vjelësh jo më të nxjerrim fitim,” shprehen fermerët, të cilët theksojnë se investimet për farëra, plehra kimike dhe mirëmbajtjen e serave janë gjithnjë në rritje.
Një tjetër problem serioz mbetet mungesa e fuqisë punëtore. Sipas tyre, gjithnjë e më pak persona janë të gatshëm të punojnë në bujqësi, çka e vështirëson edhe më shumë situatën në terren.
Përballë kësaj situate, shumë fermerë paralajmërojnë se mund të detyrohen të braktisin serat dhe të kërkojnë një të ardhme jashtë vendit, duke e thelluar më tej krizën në sektorin bujqësor në zonë.
Fermerët kanë kërkuar njëzëri vendosjen e një tabele javore çmimesh, pasi luhatjet e vazhdueshme po i vendosin përballë pasigurive të mëdha.