Prokuroria Speciale ka konfirmuar se ka kërkuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës të lëshojë urdhërarrest ndaj Goran Rakiqit, ish-kryetar i Listës Serbe.
Arsyeja ka të bëjë me vendosjen e barrikadave në pjesën veriore të vendit, gjatë vitit 2022, kur Rakiqi ishte edhe deputet i Kuvendit të Kosovës.
Në kuadër të zhvillimit të hetimeve për këtë rast, PSRK-ja thotë se i ka ndërmarrë dhe është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, përfshirë intervistimin e të pandehurve në këtë rast penal.
Arbnora Luta, zëdhënëse e PSRK-së, tha për Klankosova.tv se tashmë ka përfunduar intervistimi edhe i të pandehurve Zllatan Ellek (kryetar aktual i Listës Serbe), Igor Simiq dhe Sllavko Simiq.
Sa i përket intervistimit të Goran Rakiqit, Luta tha se “i njëjti është ftuar tri herë, por nuk është paraqitur, fillimisht duke arsyetuar mungesën me probleme shëndetësore, ndërsa për dy ftesat e tjera nuk ka dhënë ndonjë arsyetim”.
“Andaj, me qëllim të sigurimit të prezencës së G.R, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka parashtruar kërkesë në Gjykatën Themelore të Prishtinës për lëshimin e urdhër-arrestit ndaj tij”, tha Luta.
Hetimet që është duke i zhvilluar PSRK kanë të bëjnë me rastin e barrikadave në vitin 2022, për veprat penale “pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, “thirrje për rezistencë” dhe “bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese”, ndërsa kjo prokurori ka kërkuar urdhërarrest edhe ndaj 11 personave të tjerë.
Zllatan Ellek, Igor Simiq dhe Sllavko Simiq janë deputetë aktualë të Kuvendit të Kosovës, kurse Goran Rakiq është deputet në Kuvendin e Serbisë nga radhët e SNS-së.