Partia Demokratike e Kosovës ka refuzuar të shtunën propozimin e kryeministrit Albin Kurti që dy partitë e mëdha opozitare të propozojnë tre emra për president deri mbrëmjen e së dielës. Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është deklaruar ende në lidhje me këto zhvillime, derisa nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë thënë se Ramush Haradinaj është kandidat unifikues.
Pak para seancës që u mbajt të shtunën, kreu i PDK-së, Bedri Hamza konfirmoi se kjo parti e refuzon një ofertë të tillë.
“Ne jemi parti të ndryshme. PDK-ja e LDK-ja janë subjekte në vete. AAK-ja është në vete. S’e ka ftuar fare. Me LDK-në ka tjera oferta, me PDK-në kemi diskutuar për presidentin. S’është çështje e rehatimit të individit, por çështje serioze që ka mundur të diskutohet në tavolinë kur ishim bashkë, por s’ka pasur seriozitet nga VV-ja e s’ka as tash”, ka thënë ai.
Ndërkohë, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj ka dalë me një postim në rrjetin social Facebook, ku e përmendi Ramush Haradinajn për këtë pozitë.
“Opozita dhe pozita e kanë figurën më unifikuese për President.
Ramush Haradinaj është një lider me përvojë shtetformuese, i dëshmuar në kohë sfidash. Ai përfaqëson unitet, vendosmëri dhe dinjitet në përfaqësimin e vendit brenda dhe jashtë”, shkroi ai.
Më herët, edhe kryeministri Kurti foli mbi propozimin e tij, duke thënë se PDK e LDK janë parti të vjetra dhe mund të kenë emra për president.
“Na i sillni kandidatë jashtë skenës politike që të jenë shprehje e unitet dhe të jenë të njohur me kontribut në shoqëri. Ka panumër të tillë sepse këto dy parti janë më të vjetra se ne. Figurat seniore në shoqërinë kosovare ata i njohin edhe më mirë se ne. Ka shumë profesorë në universitete, ka shumë njerëz të cilët kanë kontribuuar dhe kontribuojnë dhe kanë sakrifikuar për vendin tonë dhe s’mund të na thonë se dy partitë më të vjetra nuk mund të vijnë me tre emra”, tha Kurti para mediave.
“Ne po presim tre emra prej atyre dy partive bashkë. As PDK as LDK s’i kanë deputetët për të propozuar kandidatin e vet. LDK mund të propozojë një gjysmë kandidati se i kanë 15 deputetë nga 30, në rastin më të mirë, nëse janë të gjithë unikë. Ndërkaq, PDK’ja mund të propozojë 2/3 e një kandidati sepse i ka 22 deputetë, por këto të dyja bashkë le të na i sjellin tre kandidatë”.