Tensionet shpërthyen në Bruksel gjatë protestave të fermerëve, traktorët e të cilëve u mblodhën në Place du Luxembourg, përpara ndërtesave të Parlamentit Europian. Demonstratat janë kundër planeve të BE-së për buxhetin e ardhshëm shumëvjeçar (2028-2034) dhe Politikës së Përbashkët Bujqësore (CAP), si dhe kundër marrëveshjes tregtare me bllokun e Amerikës së Jugut, Mercosur. Tensionet në rritje çuan në përplasje me policinë.
Protestuesit hodhën patate, panxhar, vezë, gurë, shishe dhe fishekzjarre. Dritaret e ndërtesës së Stacionit Europa, e cila shikon nga sheshi, u dëmtuan. Trazirat zgjatën vetëm disa minuta: policia fillimisht ndërhyri me pompa uji për të shpërndarë turmën dhe më pas avancoi, duke hedhur bomba tymuese dhe gaz lotsjellës. Policia më pas u tërhoq përgjatë gardhit me tela me gjemba të instaluar për të bllokuar hyrjen në Parlamentin Europian.
Mijëra fermerë u mblodhën në Bruksel për protestën e sotme. Demonstruesit u nisën nga stacioni Gare du Nord dhe marshuan drejt Lagjes Evropiane të kryeqytetit belg, ndërsa krerët e shteteve dhe qeverive po takoheshin në Ndërtesën Europa për një Samit të BE-së. Sipas policisë belge, afërsisht 8,000 protestuesë dhe rreth një mijë traktorë ishin të pranishëm në Lagjen Evropiane të Brukselit gjatë samitit të BE-së.
Rreth mesditës, një delegacion i Copa-Cogeca, dy shoqatat e fermerëve europianë që përfaqësojnë interesat e 22 milionë bujqëve dhe familjeve të tyre, si dhe të kooperativave agroushqimore, u takua me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe Komisionerin për Bujqësi, Christophe Hansen.
“Në kohë pasigurie, fermerët tanë kanë nevojë për besueshmëri dhe mbështetje. Dhe Evropa do t’i mbështesë gjithmonë ata”, shkruan udhëheqësit evropianë në X, duke njoftuar për një takim të frytshëm dhe produktiv.
“Me mbështetje të fortë dhe të qëndrueshme nga buxheti i BE-së, ndihmë të synuar për fermat e vogla dhe familjare, si dhe për fermerët e rinj. Dhe thjeshtim për ta bërë jetën e përditshme të fermerëve më të lehtë. Evropa është me ju, tani dhe në të ardhmen.”