Ndërsa dënon aktet e dhunës, kryeministri Rama shkruan se Partia Demokratike, është e vetmja në të gjithë botën demokratike që ushtron dhunë. Rama bën edhe një krahasim mes PD dhe Robert Mugabe, i cili udhëhoqi Zimbabwe nga viti 1980 deri në rrëzimin nga pushteti në një grusht shteti në vitin 2017, duke thënë se është e vetmja parti që i shkon nga pas një tetëdhjetë e kusur vjeçari të damkosur.
“Këto janë bombat artizanale me të cilat janë sulmuar dhe djegur e plagosur mbrëmë punonjësit e policisë, nga e vetmja parti politike në botën demokratike që ushtron dhunë dhe e dyta në historinë e botës së tërë – pas asaj të famëkeqit Robert Mugabhe të Zimbabves – që i shkon mbrapa një tetëdhjetë e kusur vjeçari të damkosur e të lajthitur! Uroj që drejtësia të bëjë drejtësi për policët e plagosur dhe të ndëshkojë pa ngurrim bartësit e këtyre armëve me kapacitet vdekjeprurës”, shkruan Rama.
Shefi i qeverisë kujdeset që t’iu përgjigjet ambicieve të kundërshtarëve politikë të cilët përmes protestave me militantë synojnë të rrëzojnë qeverinë, duke u thënë se përgjigjen do e marrin në zgjedhjet e ardhshme lokale, ndërsa PS do të vazhdojë rrugën drejt Shqipërisë 2030 në BE.
“Sa për fatin politik të këtij cikli të ri jashtënxjerrjesh në bulevard, ai do të shkruhet si zakonisht në zgjedhjet e vitit të ardhshëm me një disfatë ende më shembullore se sa të mëparshmet, ndërkohë që ne do të vazhdojmë pa u ndalur  rrugën drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian”, e mbyll Rama postimin e tij.
Pas protestës së dhunshme, Policia e Tiranës arrestoi 21 militantë të Sali Berishës, mes tyre 4 të mitur, ndërsa u sekuestruan 22 molotovë të pashpërthyer. Aktet e dhunës drejt efektivëve janë dënuar ashpër edhe nga përfaqësues të Partisë Socialiste dhe ministrja e Brendshme Albana Koçiu, që militantët e PD i quajti kriminelë të organizuar që synim kanë pasur sulmin ndaj policëve.