Mijëra njerëz rrethuan të martën ish-selinë e ushtrisë serbe në Beograd, duke protestuar kundër ligjit të miratuar së fundmi nga parlamenti që përshpejton transformimin e këtij objekti në një kompleks luksoz imobiliar, prona e të cilit është dhënë me koncesion një kompanie investimi të themeluar nga dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, njofton Reuters.
Protesta e së martës i shtohet një serie protestash kundër qeverisë, të cilat po i shkaktojnë probleme presidentit Aleksandar Vuçiç, të nxitura nga shembja, një vit më parë, e çatisë së një stacioni hekurudhor të rinovuar së fundmi, çka shkaktoi vdekjen e 16 personave, shkruan News.ro.
“Erdha këtu për të ngritur zërin kundër ligjit” të miratuar nga parlamenti javën e kaluar, tha Teodora Smiljanic, një protestuese 48-vjeçare. “Duke miratuar këtë ligj, ai (Vuçiç) kërkon ta kënaqë Trumpin dhe të fitojë favorin e tij”, shtoi ajo. “Ndoshta ai beson se Trump mund, në këmbim, të heqë sanksionet kundër NIS-it”, kompanisë serbe të naftës të kontrolluar nga Rusia, shtoi ajo.
NIS, i vetmi rafineri nafte në Serbi, që është në pronësi të Rusisë, ndodhet nën sanksione amerikane, gjë që shkakton shqetësime për furnizimin me karburant gjatë dimrit tipikisht të ftohtë të vendit ballkanik.
Ligji
Parlamentarët serbë miratuan të premten një ligj që do të mundësojë procedura administrative më të shpejta për kompaninë Affinity Global Development të Jared Kushner-it, për të ndërtuar një hotel, apartamente, dyqane dhe zyra në vendin ku ndodhej ish-selia e ushtrisë jugosllave.
Shumë serbë e konsiderojnë ish-selinë, e cila u dëmtua në vitin 1999 gjatë bombardimeve të NATO-s në konfliktin e Kosovës, si një homazh për ata që vdiqën dhe si një monument të arkitekturës moderniste të epokës jugosllave. Ata kundërshtuan nënshkrimin e kontratës 99-vjeçare të dhënies me qira me Affinity Global Development vitin e kaluar.
Disa politikanë të opozitës argumentuan se ligji është antikushtetues, por shumica qeverisëse e miratoi atë pa amendamente, duke thënë se është i rëndësishëm për ruajtjen e marrëdhënieve të mira me SHBA-të.
“Ai (Vuçiç) po përpiqet ta korruptojë Trumpin”, deklaroi të martën për N1 TV Zdravko Ponos, ish-shef i shtabit të ushtrisë dhe aktualisht lider i partisë së opozitës Srbija Centar.
Affinity Partners, grupi më i gjerë i investimeve i Kushner-it, nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment të dërguar të martën nga Reuters.
Pavarësisht protestave, qeveria e Vuçiç-it hoqi vitin e kaluar statusin e mbrojtjes kulturore që gëzonte kompleksi i vjetër ushtarak.
Kushner, i cili është i martuar me vajzën e Trumpit, Ivanka-n, themeloi Affinity Global Development pasi dha dorëheqjen nga posti i këshilltarit në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2021.