Buzë një kodre në fshatin Prush të Tiranës, në afërsi të liqenit të Prushit kanë dalë në rrugë disa eshtra dhe janë zbuluar disa rrënoja varrezash. Specialistë të Institutit të Trashëgimisë Kulturore ishin për të bërë verifikimin e parë të këtyre eshtrave dhe këtyre varrezave, për të parë se kur ato datojnë dhe me cilën periudhën lidhen.
“Jemi në fazë verifikimi në terren. Kemi marrë njoftim për disa gjetje arkeologjike. Këtu vërejmë një eshtër femuri. Po bëjmë dokumentimin përkatës. Mendojmë që është një varrezë. Pasi përfunduam verifikimin e eshtrës që duket në profilin e rrugës, që mund të ketë dalë nga rrëshqitjet e dheut, erozioni natyror, do të bëjmë vëzhgim të kodrës.”, – thotë arkeologu Arjol Porja.
Ndërkohë, gjatë verifikimit u konstatua prania jo e një, por e disa varreve, një prej tyre i mbuluar me bimësi të shumtë, një tjetër i dëmtuar por me strukturë të qartë, si dhe dy varre të tjerë, për të cilët po ashtu priten verifikime të mëtejshme.
“Këtu shohim një strukturë muri që është varr me gurë gëlqerorë të lidhura me llaç. Këto tipe varresh janë të shekullit XVII-XVII, por duhen bërë ekzaminimet përkatëse që të dalim në një konkluzion ekzakt.”, – vijon Porja.
Ndërkohë dimë që në vitin 2011 Agjencia e Shërbimit Arkeologjik ka identifikuar në këtë zonë dy kisha mesjetare dhe rrënojat e një xhamie. Por nëse rrënojat e tanishme kanë lidhje me këto mbetet për t’u verifikuar.
Arkeologu Arjol Porja thotë se guri do të analizohet më tej në laborator, ndërsa zona përreth do të pastrohet dhe do të bëhet një verifikim më i saktë i gjetjeve.
Banorët thonë se kjo pjesë e fshatit, në këtë kodër ka pasur edhe varreza më të hershme që datojnë thellë në kohë, ndërkohë që sipërfaqja e tyre është akoma më e madhe. Por në fakt diçka e tillë mbetet për t’u verifikuar nga specialistët.