Ky detajë është publikuar nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, i cili në fakt ka arritur të sigurojë dosjen e SPAK ndaj numrit 2 të qeverisë, pandehur për shkelje të barazisë në tenderë, pasi ka publikuar disa fragmente nga ky dokument.

Sipas kësaj dosje të publikuar nga Bardhi, më datën 26 janar 2021, Belinda Balluku i dërgon mesazh Evis Berberit, sot të burgosur për abuzime në tenderë: “Një pyetje, kemi ndryshuar ne tek tuneli eksperiencën e objekteve të ngjashme nga 5 në 3 vite?”

Berberi përgjigjet: “Kërkoi Pëllumbi të jetë 3 nga 5 vitet e fundit. Te takimi që patëm më datë 31 dhjetor me Artën dhe Pëllumbin ai kërkoi që të jetë 3 nga 5 vitet e fundit. Po Arta më tha që e kishte diskutuar përpara takimit me Pëllumbin këtë gjë me ty”.

 

Kjo kur zhvillohet kjo bisedë me mesazhe në telefon për procedurat e ndërtimit të një nga projekteve më të mëdha rrugore në vend, siç është tuneli i Llogarasë, korrespondon me periudhën kur tenderi i parë, ishte ende i hapur.

Teksa publikon këto pjesë nga dosja, Bardhi, i cili në vitin 2024 dorëzoi në emër të grupit të PD-së kallëzim mbi të cilin SPAK nisi hetimet, thotë se është i tronditur  se si një Zëvendëskryeministre e trajton shtetin si oborrin e shtëpisë.

“I tronditur nga dosja penale e një Zëvendëskryeministri që e trajton shtetin si oborrin e shtëpisë. Opozita do të bëjë transparencë të plotë të aferës korruptive të Belinda Ballukut që tregon sesi funksionon shteti nën drejtimin e Edi Ramës.

Ndjehem krenar që aferat e kësaj Qeverie, grupi ynë parlamentar jo vetëm i denoncon publikisht, por edhe institucionalisht në SPAK. Procedimi penal nr. 181, viti 2024, që ka nisur mbi bazën e kallëzimit tonë, nuk do të jetë kurrë i plotë nëse paratë e korrupsionit nuk kthehen në Buxhetin e Shtetit”, shkruan Gazment Bardhi.

Zv.kryeministrja Belinda Balluku dhe 5 vartësit e saj, janë marrë të pandehur për veprën penale ‘Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike’ lidhur me ndërtimin e tunelit të Llogarasë.

Të pandehur janë Gentian Gjyli kreu aktual i Autoritetit Rrugor Shqiptar, ish-drejtori i ARRSH-së Ervis Berberi, i cili është i arrestuar për në tjetër çështje, drejtori aktual i OSHEE-së Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashica. Të 5-të janë marrë të pandehur në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO).

Pjesë nga dosja hetimore e publikuar nga Gazment Bardhi:

Në lidhje me këtë veprim të njësisë së prokurimit, nga akti i ekspertimit nr.195, datë 26.09.2024, të aparatit celular “Blackberry”, model “BBF100-6”, të sekuestruar shtetasit Evis Berberi, nga nxjerrja e të dhënava teknike kompjuterike që përmban ky aparat celular, kanë rezultuar komunikime ndërmjet shtetasit Evis Berberi dhe Belinda Balluku, si më poshtë:

Në datën 26.01.2021, në orën 12:25, shtetasja Belinda Balluku i dërgon shetasit Evis Berberi mesazhin: “Nje pyetje”. Në orën 12:25, Evis Berberi: “Po”. Në orën 12:26, Belinda Balluku: “Kemi ndryshuar ne tek tuneli eksperienecen e objekteve te ngjashme Nga 5 vite ne 3???”. Në orën 12:26, Evis Berberi: “Kerkoi Pellumbi te jete 3 nga 5 vitet e fundit”. Në orën 12:27, Belinda Balluku: “Po cne? Kush e beri kerkesen e KPP?”. Në orën 12:27-12:31, Evis Berberi: “Ne kpp cfare kerkese eshte bere patem ne dt 31 dhjetor me Arten dhe Pellumbin ai kerkoi qe te jete 3 nga 5 vitet e fundit Te takimi ge Sipas Vkm eksperienca duhet kerkuar tre vitet e fundit. Nderkohe qe ai se kishte dhe e lame 3 nga 5 vitet e fundit. Po Arta me tha qe e kishte diskutuar perpara takimit me Pellumbin kete gje me ty”.

Pjesë nga dosja hetimore e publikuar nga Bardhi