PSG dhe Inter po luajnë finalen e Champions League në Mynih, me duelin që nisi në orën 21:00 të kësaj të shtune (31 maj). Finalja e sotme vendos përballë skuadrat për herë të parë në një ndeshje zyrtare, që vlen për trofeun më të rëndësishëm në Evropë. Në historinë mes tyre dy skuadrat janë përballur pesë herë në miqësore, nga të cilat tre kanë folur për francezët e PSG-së dhe në dy raste për italianët e Interit.

Nga stolat me ide po përballen edhe dy strategët, Luis Enrique që e ka shijuar në një rast si trajner trofeun në sezonin 2014-15 me Barcelonën, ndërsa nga ana tjetër është Simone Inzaghi që nuk ka fituar asnjë trofe të Champions, me bilancin që është një finale e humbur me Interin e tij më 10 qershor 2023 kundër Manchester Cityt (1-0) në Stamboll. PSG u mposht 1-0 nga Bayern Munich në finalen e Champions League të vitit 2020.

 

 

20′ Kundërsulm perfekt nga PSG, Doue shënon golin e dytë për francezët. Interi shokohet pas vetëm 20 minutave duke pësuar dy gola.

12′ Aksion model nga djemtë e Luis Enriques (PSG). Doue pason bukur nga brenda zonës për Hakimin, me këtë të fundit që nuk e ka të vështirë ta dërgojë në rrjetë dhe të ndëshkojë ish-ekipin e tij. Mbrojtësi nuk feston, PSG merr avantazhin.

5′ Çalhanoglu (Inter) realizon një goditje dënimi direkte.

1′ Nis ndeshja me topin e parë shkelmuar nga PSG.Këtë të shtunë (31 maj) në orën 21:00 në Mynih do luhet finalja e Champions League për edicionin 2024-25.

Përplasja para ndeshjes mes tifozëve

Ora 18:17 – Pranë stacionit të metrosë ‘Universitat’ në Mynih, përgjatë linjës U6 që të çon nga qendra e qytetit në stadium, ndodhi një përleshjeje midis tifozëve të Interit dhe PSG-së, të cilët gjithashtu hodhën sende drejt njëri-tjetrit. Ndërhyrja e policisë ishte e nevojshme me gaz lotsjellës për të shmangur një përplasje të vërtetë. Tensione u raportuan edhe në stacionin “Fröttmaning”, pranë stadiumit, ku disa tifozë të Interit mbetën të lënduar, madje edhe të mbuluar me gjak, sipas raportimeve të ‘Bild’.

Historia dhe rruga drejt finales

Për PSG-në kjo është një mundësi historike për të fituar për herë të parë trofeun e parë të madh evropian, ndërsa Interi do të kërkojë të rikthehet në majë të kontinentit pas 15 vitesh dhe të sigurojë titullin e katërt në këtë garë prestigjioze.

Rruga drejt finales ka qenë e vështirë për të dyja skuadrat. PSG eliminoi tre ekipe angleze me emër; Liverpoolin pas penalltive në 1/8-at (1-1, 4-1), Aston Villan në një spektakël golash në çerekfinale (5-4) dhe më pas Arsenalin në gjysmëfinale (3-1).

Ndërkohë, Interi kaloi Feyenoordin (4-1), pastaj mposhti Bayernin në një përballje dramatike (4-3), ndërsa në gjysmëfinale zhvilloi dy ndeshje spektakolare kundër Barcelonës, duke triumfuar me rezultatin e përgjithshëm 7-6.

Forma e dy skuadrave në garat vendase është kontrast i theksuar. PSG ka fituar tripletë këtë sezon (Ligue I, Kupa e Francës dhe Superkupa), ndërsa Interi nuk ka arritur të fitojë asnjë trofe dhe e sheh këtë finale si mundësinë e vetme për të shpëtuar sezonin.

Arbitri – Finalja do të drejtohet nga gjyqtari rumun Istvan Kovacs, i cili pritet të ketë një sfidë të vështirë përballë dy skuadrave plot yje dhe ambicie.

Forma e skuadrave dhe mungesat

PSG

Presnel Kimpembe është lojtari i vetëm që mungon për PSG-në në finalen e Champions League. Luis Enrique nuk ka gjasa të bëjë ndonjë surprizë të madhe për takimin me Interin.

Megjithatë, ai duhet të vendosë nëse Desire Doue apo Bradley Barcola do t’i bashkohen Ousmane Dembele dhe Khvicha Kvaratskhelia në vijën e parë të sulmit.

Inter

Benjamin Pavard pritet të rikthehet në skuadër pas një periudhe jashtë fushave. Piotr Zielinski dhe Yann Bisseck do të vlerësohen gjithashtu, duke lënë vetëm Valentin Carboni si mungesa e vetme e konfirmuar e Interit.

Federico Dimarco duhet të marrë vendin e tij në pozicionin e mbrojtësit të krahut të majtë, përpara Carlos Augustos.

E shtuna do të shënojë finalen e dytë të Champions League për Interin në tre vitet e fundit dhe ata do të synojnë të bëjnë më mirë se në vitin 2023.

Formacionet zyrtare:

PSG: Donnarumma; Hakimi, Marquinhos, Pacho, Nuno Mendes; Neves, Vitinha, Fabian Ruiz; Doue, Dembele, Kvaratskhelia

Inter: Sommer; Pavard, Acerbi, Bastoni; Dumfries, Barella, Calhanoglu, Mkhitaryan, Dimarco; Lautaro Martinez, Thuram

VIDEO/ Nis festa e ultrasve, ‘Allianz Arena’ thuajse e mbushur me tifozë 1 orë para finales! Report Tv sjell pamje nga Mynihu
 
Kur duhet më shumë se një orë nga nisja e finales së Champions League mes PSG-së dhe Interit (21:00), “Allianz Arena” në Mynih ka nisur të mbushet nga ultrasit e dy skuadrave. Gazetari i Report Tv, Ernest Koçi përcjell atmosferën nga impianti ku duket se tifozët kanë nisur festën me këngë për të mbështetur ekipet e tyre. 64 mijë tifozë do jenë sot në stadium.
 

Formacionet zyrtare/ Enrique dhe Inzaghi surprizojnë me titullarët, Asllani e nis nga stoli finalen e CHL

Vendosja në fushë

PSG dhe Inter luajnë sot në orën 21:00 finalen e Champions League në Mynih. Trajnerët Luis Enrique dhe Simone Inzaghi kanë zbardhur edhe vendosjet zyrtare në fushë, ndërsa shqiptari i italianëve, Kristjan Asllani e nis ndeshjen nga stoli.

Formacionet zyrtare:

PSG (4-3-3): Donnarumma; Hakimi, Marquinhos, Pacho, Nuno Mendes; Neves, Vitinha, Fabian Ruiz; Doue, Dembele, Kvaratskhelia

Inter (3-5-2): Sommer; Pavard, Acerbi, Bastoni; Dumfries, Barella, Calhanoglu, Mkhitaryan, Dimarco; Lautaro Martinez, Thuram

 

Grushta, gurë dhe gjak në Mynih, përleshje mes tifozëve të Interit dhe PSG-së në metro! Policia përdor gaz lotsjellës (VIDEO)

Policia gjermane është vënë në gatishmëri të lartë pasi situata në Mynih është përshkallëzuar në disa zona të qytetit, përpara fillimit të ndeshjes finale mes PSG dhe Inter (21:00). ‘Bild’ bën me dije se ka disa përleshje dhe policia ka përdorur gazin lotsjellës për të qetësuar tifozët në metronë U6. Gjithashtu prestigjozja gjermane shkruan se ka disa tifozë italianë të gjakosur.

Gaz lotsjellës dhe kaos në metro

Një incident serioz ndodhi në linjën U6, në stacionin “Universität”, ku është raportuar përdorimi i gazit lotsjellës në një prej trenave. Për pasojë, u aktivizua frena e emergjencës, duke shkaktuar vonesa të mëdha dhe konfuzion në rrjetin e transportit publik. Roja e metrosë nuk arriti të ndërhynte për shkak të situatës së tensionuar.

Tifozë të lënduar në stacionin Fröttmaning

Tensione u raportuan edhe në stacionin “Fröttmaning”, pranë stadiumit, ku disa tifozë të Interit mbetën të lënduar, madje edhe të mbuluar me gjak, sipas raportimeve. Fatmirësisht, një gardh sigurie mes shinave ndaloi përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës.

Përleshje dhe hedhje gurësh mes tifozëve

Përplasjet vazhduan me hedhje gurësh nga tifozët e Interit në drejtim të atyre të PSG-së në të njëjtin stacion, ndërsa përleshje fizike ndodhën edhe në stacionin qendror të trenit. Policia ndërhyri me shpejtësi për të ndaluar përshkallëzimin e dhunës. Sipas burimeve nga terreni, grupet ultras kanë nisur marshimin drejt stadiumit nën mbikëqyrje të fortë të forcave të rendit.

Finalja, e cila pritet të ndjekë një spektakël futbolli në fushë, ka përballë dy nga klubet më të mëdha në Europë, por tensionet jashtë stadiumit po errësojnë atmosferën sportive.

 

Hedhje sendesh mes tifozëve të PSG dhe Inter, ndërhyn policia në Mynih! Metroja mbyllet përkohësisht

Pranë stacionit të metrosë ‘Universitat’ në Mynih, përgjatë linjës U6 që të çon nga qendra e qytetit në stadium, kishte shenja të një përleshjeje midis tifozëve të Interit dhe PSG-së, të cilët gjithashtu hodhën sende drejt njëri-tjetrit. Ndërhyrja e policisë ishte e nevojshme për të shmangur një përplasje të vërtetë. Për shkak të trazirave pranë stacionit të metrosë, linja U6 e Mynihut, e cila shkon nga qendra e qytetit në ‘Allianz Arena’, u ndërpre si masë paraprake për 26 minuta përpara se të rifillonte funksionimin normal.

 

Luis Enrique tremb Interin, trajneri që nuk ka humbur kurrë një finale! 10 nga 10, po e 11-ta?

Luis Enrique do të ketë mundësinë të shtojë një “Tripletë” të dytë në karrierën e tij si trajner sonte nëse e udhëheq PSG-në drejt fitores ndaj Interit në finalen e Champions League. Përtej kësaj arritjeje të jashtëzakonshme, është rekordi i tij mbresëlënës në finale që mund t’i japë zikaltërve shkak për shqetësim. Ish-trajneri i Romës fitoi La Ligën, Kupën e Mbretit dhe Ligën e Kampionëve në të njëjtin sezon me Barcelonën në edicionin 2014-15, duke mposhtur Juventusin 3-1 në finalen e Berlinit.

Rekordi pothuajse perfekt i Luis Enriques në finale

Që kur mori drejtimin e PSG-së në vitin 2023, trajneri spanjoll e ka udhëhequr klubin drejt dy titujve të Ligue 1, dy triumfeve të Kupës së Francës dhe dy fitoreve të Superkupës së Francës.

Kur bëhet fjalë konkretisht për finalet, Luis Enrique krenohet me një rekord pothuajse të përsosur, i dëmtuar vetëm nga një humbje në dy ndeshjet e Superkupës së Spanjës në vitin 2015, kur skuadra e tij Barcelona u mposht 5-1 në total nga Athletic Bilbao.

Siç thekson Le Parisien, trajneri i PSG-së nuk ka humbur kurrë asnjë nga 10 finalet e tij të para të luajtura vetëm një herë. Suksesi i tij më i fundit erdhi vetëm disa ditë më parë, teksa PSG mposhti Reimsin për të fituar Kupën e Francës.

 

Mijëra tifozë ‘pushtojnë’ Mynihun, Report Tv sjell pamje nga atmosfera para finales PSG – Inter (VIDEO)

 
Këtë të shtunë në orën 21:00 në Mynih luhet finalja e Champions League mes PSG-së dhe Interit. 64 mijë tifozë do jenë në stadium, teksa prej orës 17:00 ka nisur futja e tyre në impiant. Secili klub ka në dispozicion nga 18 mijë bileta, ndërsa pjesa tjetër dolën në treg para se të mësoheshin emrat e skuadrave finaliste dhe tifozët do jenë të përzierë.

Gazetari i Report Tv, Ernest Koçi sjell pamja nga hapja e dyerve të “Allianz Arena”, me tifozët që po futen në stadium. Ndërkohë që drejt Mynihut kanë udhëtuar rreth 40 mijë tifozë të Interit, paçka se pjesa dërrmuese pa bileta.

 

Pse Kristjan Asllani mund të jetë shumë i rëndësishëm për Interin në finalen e Champions League


Kristjan Asllani pritet ta fillojë nga stoli ndeshjen e sotme finale. Mesfushori shqiptar i Interit mund të jetë shumë i rëndësishëm kundër PSG-së nëse finalja e Champions League shkon me penallti dhe këtë e shpjegon “Gazzetta dello Sport”.

Nëse ndeshja shkon me penallti, lideri i Interit është Hakan Calhanoglu. Mesfushori turk ka një rekord mbresëlënës; 49 gola nga 55 përpjekje gjatë karrierës së tij, përfshirë 19 nga 20 në Serie A.

Megjithatë, Calhanoglu ka luajtur vetëm dy herë të plota 90 minutat në 14 ndeshjet e këtij sezoni në Ligën e Kampionëve, që do të thotë se nuk është e sigurt nëse ai do të jetë ende në fushë nëse ndeshja përfundon në penallti.

Nëse Calhanoglu del nga loja, Kristjan Asllani mund të jetë zgjedhja e radhës. 23-vjeçari është ndër lojtarët e përgatitur për të marrë përsipër përgjegjësinë e penalltive, sipas La Gazzetta dello Sport.

Mesfushori tjetër, Henrikh Mkhitaryan, ka shënuar 12 herë nga 15 tentativa dhe mund të përfshihet gjithashtu, nëse është ende në lojë.

 

Interi luan sot me shirit të zi në krah në nderim të ish-presidentit


UEFA ka dhënë miratimin dhe sonte në finalen e Ligës së Kampionëve kundër PSG-së, Interi do të luajë me shirita të zinj në krah në kujtim të Ernesto Pellegrinit. Ish-presidenti i zikaltërve mbylli sytë sot në moshën 84-vjeçare.
 

Policia bavareze në alarm para finales, priten 650 ultras agresivë! Plani për t’i ndalur

Situatë e qetë në Mynih, vazhdimisht mbi qytet qëndron një helikopter. Dy zonat e tifozëve janë ende gjysmë të zbrazura, ndërsa në ‘Marienplatz’ dhe rrugët ngjitur shumica e tifozëve janë të Interit. Policia bavareze pret që 150 ultras të dhunshëm të PSG-së dhe 500 tifozë të Interit të mbërrijnë me makina. Plani është t’i ndalojë ata përpara se të hyjnë në qytet.

 

PSG – Inter, finalja e dy gjeneratave


PSG – Inter do të jetë edhe një ndeshje mes gjeneratash të ndryshme. PSG është skuadra më e re që kaloi fazën play-off: 24 vjeç, 262 ditë ndërsa Interi është ekipi më i vjetër i kompeticionit me moshën mesatare: 30 vjeç, 19 ditë.
 

Masa të rrepta sigurie në qendër të Mynihut

Vendosja e policisë në qendër të Mynihut është e jashtëzakonshme. Përveç furgonëve dhe oficerëve (2,000 oficerë u vendosën vetëm në qytet) ka edhe barriera të lëvizshme për të parandaluar kalimin e automjeteve. Në fakt, ekziston frika e sulmeve ose akteve të çmendura si ato që ndodhën në Liverpool, ku një makinë goditi dhe plagosi 27 persona.