Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar aktgjykimin e plotë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Ajo ka konstatuar se seanca konstituive e Kuvendit, e filluar me 15 prill 2025 nuk ka përfunduar si rezultat i mos zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb, dhe Kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me përcaktimet e paragrafit 1 të nenit 66 (Zgjedhja dhe mandati) dhe paragrafët 1 dhe 4 të nenit 67 (Zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Gjykata ka urdhëruar që seanca konstituive e Kuvendit të përfundojë brenda afatit të mbetur prej 12 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij Aktgjykimi, raporton KosovaPress.
Kushtetuesja ka urdhëruar të gjithë deputetët e zgjedhur të Kuvendit që gjatë procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb, të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në interesin më të mirë të Kosovës dhe në pajtim me Kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit.