Punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) kanë reaguar lidhur me vonesat në shpërndarjen e pagave, duke theksuar se tashmë kanë kaluar 19 ditë pa u paguar për punën e kryer.
Në kërkesën e tyre drejtuar institucioneve përgjegjëse, ata kujtojnë se të premten e kaluar është marrë vendimi në parim për buxhetin e RTK-së, por procesi i transferimit të pagave ende nuk është finalizuar.“Jemi të detyruar t’ju drejtohemi me këtë kërkesë lidhur me procesin e transferimit të pagave për punëtorët e RTK-së. Kërkojmë të informohemi qartë deri ku ka shkuar procesi dhe sa kohë do të zgjasë kjo procedurë”, thuhet në reagim.
Punëtorët theksojnë se vonesa ka dëmtuar rëndë jetën e tyre dhe funksionimin e institucionit, duke e quajtur këtë situatë të papranueshme.“Punëtorët presin me të drejtë pagën për punën që e kanë kryer, dhe kjo situatë është e papranueshme. Prandaj, presim përgjigje të qartë dhe shpërndarje të menjëhershme të pagave. Në të kundërt, do të jemi të detyruar t’i kthehemi formave ligjore që na i lejon ligji për organizimin sindikal”, theksohet në letrën e tyre.
Ata rikujtojnë se protesta e paralajmëruar ishte anuluar më herët në shenjë mirëbesimi, por nëse deri të premten nuk bëhet shpërndarja e pagave, atëherë nga e hëna në orën 09:30 do të fillojnë me protesta dhe forma të tjera të bojkotit të lejuara me ligj.