Rruga ‘Shtipska’ në Tetovë ka mbetur në baltë ndonëse punimet për rikonstruim filluan pak javë para zgjedhjeve lokale, raporton Portalb.mk.
Tre muaj më vonë, rruga ka mbetur në baltë që shkakton revoltë te banorët, sidomos tani kur ka reshje të shiut dhe borës herë pas here.
“Jemi shumë në zor, jemi. Siç edhe e sheh këtu, as nuk kalohet. Ka njerëz që janë në zor edhe për ambulant, por nuk hynë. As edhe taksitë nuk ndalen“, tha një qytetar.
“Ka nja tre muaj, katër, edhe asnjëherë nuk bëhet. Shumë keq , e shikon edhe vetë. Unë aty dal në asfalt, por këta tjerë si kalojnë? Unë solla vetë zall, edhe ma bën prapë me baltë, shumë keq“, u shpreh një qytetar.
“Që në vjeshtë ka filluar, ka kaluar dimri dhe nuk është bërë. Ma kujdes duhet, nuk u bë. Është rrugë kryesore, nuk është njëkatëshe, dhe s’kanë ku të parkohen. Është e tregut, problem, ka baltë në shtëpitë tona, nuk hyhet. Çdo ditë duhet të fshimë edhe këpucët”, tha një qytetar tjetër.
“Katastrofë, e shikon si na kanë lënë. E kanë plas edhe gypin dhe nuk vinë ta rregullojnë. Banderin e shihni, këtë banderë e mban ai teli i orës e shikon, mos do bie edhe banderi. E kanë gërmuar, çdo kompani vjen dhe shkon. Dy muaj e gjysmë këtu nuk na lënë njerëzit dhe në shitore të hyjmë nga balta. Katastrofë, gjynah është kjo, turpi madh është, shiko”, tha një qytetar.
Nga Komuna e Tetovës arsyetohen dhe thonë se janë në fazën e fundit.
“Është e vërtetë se ka pasur vonesa, shkaku ka qenë i punëve që kanë realizuar operatorët kabllovik dhe operatori EVN, por edhe shkaku i punimeve nën tokësore të kanalizimit atmosferik. Jemi në fazën e fundit të tamponimit dhe asfaltimit. I kemi dhënë urdhër kompanisë që të vazhdojë me punimet në rast të vonese. Pa dyshim do të merren masa nga komuna e Tetovës”, deklaroi Albi Qamili nga Komuna e Tetovës.
Përveç kësaj rruge që është lënë në këtë gjendje, ka edhe rrugë të tjera, një ndër to është edhe bulevardi ‘Bllagoja Toska’ në pjesën që del në lagjen Drenovec në rrugën rajonale Tetovë – Jazhincë.