Javën e parë të muajit të ardhshëm do të hapen për qarkullim 6 kilometrat e para të autostradës Tiranë – Durrës. Gjatë inspektimit të punimeve në lotin e parë Ministri i Infrastrukturës Enea Karakaçi tha se korsitë e reja do të hapen në javën e parë të muajit maj, dhe do të garantojnë shfryrje të trafikut edhe në prag të sezonit veror.
Pas mbylljes së punimeve edhe në lotet e tjera të saj, autostrada do të ketë 8 korsi në total, nga 4 në secilin drejtim, ndërsa shpejtësia e lejuar do të jetë nga 90 -140 km në orë.
“Gjendemi në aksin Tiranë-Durrës. Në fakt është edhe aksi më i ngarkuar përsa i përket trafikut në të gjithë Shqipërinë. Kemi hyrjen në Tiranë, hyrjen nga pjesa e Aeroportit të Rinasit edhe lidhjen me qytetin e Durrësit. Ky segment është një segment i rëndësishëm. Ne gjendemi këtu në punimet që po kryhen në 6 kilometrat e para të këtij segmenti. Patjetër kemi patur operacion të vështirë për zbatimin e tij, sepse jemi përpjekur që të mos pengojnë qarkullimin e mjeteve. Dëshira jonë ka qenë që ta përfundonim brenda dhjetorit këtë vepër. Dhe në fakt deri në vjeshtë punimet kishin ecur me ritme shumë të mira. Por më pas u hasëm me një dimër shumë të lagësht. Në kontratë jemi brenda kushteve të kontratës, sepse e kemi brenda muajit korrik dorëzimin e këtij aksi”, tha ministri Karakaçi.
Ndërsa kreu i ARRSH-s sqaron se ka arritur në 20% edhe volumi i punimeve për 2 kontratat që aktualisht po zbatohen për bypass-in e Tiranës.
“Ministër, ne jemi në fazën finale. Ne po përgatitemi për hapje, ashtu siç edhe ju keni lënë porosi që brenda fillimit të muajit të ardhshëm ne të jemi gati për hapje. Konkretisht jemi në lotin 1 ku po vijon asfaltimi. Qytetarët kishin pritshmëri që ne ta hapnim brenda dhjetorit, por për një sërë arsyesh, por kryesisht për faktin e ngarkesës së jashtëzakonshme që ka ky aks, ka pasur vonesa. Kjo është një rrugë që do të ketë 3+1 korsi”, dhe Kozeli.
R.Xh/SI.E./Shqiptarja.