Qeveria ka kundërshtuar kërkesën e partive opozitare për ulje të përkohshme të akcizës në naftë dhe ulje të TVSH-së për karburantet.
Në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga LDK-ja rreth rritjes së çmimeve të naftës, partitë opozitare kanë kërkuar ndërhyrjen e Qeverisë për uljen e çmimit të naftës, i cili ka shkuar deri në dy uro për litër.
Rezoluta e propozuar nga LDK-ja ka pasur tri kërkesa ndaj Qeverisë: të ulet përkohësisht akciza në naftë; të ulet TVSH për karburantet; dhe të bëhet subvencionimi për sektorët më të ndjeshëm, si bujqësia, prodhimi dhe transporti publik.
Fillimisht, shefja e Grupit Parlament të LDK-së, Jehona Lushaku, ka thënë se ndërhyja e shtetit në këtë situatë është urgjente.
Në adresimin e saj, derisa ka prezantuar rezolutën e përkrahur nga PDK dhe AAK, ajo ka thënë se rritja e çmimit të naftës nuk është vetëm çështje tregu.
Sipas saj, kjo ka ndikim të drejtpërdrejtë në çdo familje dhe biznes.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, e ka kritikuar Qeverinë për mosreagim rreth kësaj çështje.
Ai ka bërë me dije se Qeveria po sillet si vëzhguese pasive e gjendjes ekonomike.
“Çmimi i biletave, a beson dikush që ulet nafta dhe kthehet çmimi i biletave të transportit në nivelin paraprak. Jo këtu ngelet. Qeveria po sillet si vëzhguese pasive”, ka thënë ai.
Edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se Qeveri nuk ka pasur qasje serioze në raport me çmimet e naftës.
“Sot jemi në këtë seancë që është bukur me një temë të rëndësishme, të cilën e kemi ngritur ne si opozitë, ndërsa rezolutën e ka propozuar Lidhja Demokratike e Kosovës. Në fakt nuk po flasim vetëm për çmimin e naftës. Qoftë se e lexojmë me kujdes temën e kësaj seance, këtu flasim për çmimin e naftës, flasim për reagimin e qeverisë ndaj një krize dhe mbi të gjitha për barrën e madhe që qytetarëve të Kosovës i ka ra nga një krizë dhe nga një ngritje bukur serioze, jo vetëm të çmimeve të naftës e të energjisë, mirëpo të të gjitha produkteve bazë që i japin kuptim jetës së secilës familje në Republikën e Kosovës”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, pushteti ka refuzuar argumentet e opozitës për uljen e akcizës.
Ministrat dhe deputetët e VV-së kanë kundërshtuar kërkesën e opozitës.
Në adresimet e tyre, ata kanë pretenduar se ulja e akcizës nuk ndikon shumë në xhepat e qytetarëve.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka kundërshtuar pretendimet e partive opozitare.
Ai ka vlerësuar se propozimet e opozitës nuk po bëhen për qytetarët, por për bizneset.
“Nuk e kanë për qytetarët, por për bizneset që i mbështesin këto parti. Ulja e akcizës për 16 centë për një familje që shpenzon 50 litra naftë në muaj përkthehet në 8 euro. Ju kujtohet kur kemi filluar shtesat e fëmijëve me 10 euro, këta thonin se janë vitra e tash propozimi i tyre është uleni akcizën t’i kursejnë 8 ero në muaj, e për shtetin kjo përkthehet në 10 milionë euro më pak të hyra në muaj”, është shprehur ai.
Të njëjtin qëndrim e ka mbajtur edhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila.
“Ka ndodhur edhe një ulje e TVSH në qeverinë Mustafa më 2016 nga 18 në 8 për qind. Cili është bërë vlerësimi, a ka pasur të produkteve, jo. Ju e keni testuar të njëjtin propozim që po e sillni. D.m.th. ulja e TVSH-së ka treguar dy herë tashmë se nuk e ulë çmimin që qytetari që e blen në fund produktin do ta paguajë të njëjtin çmim”, ka thënë ajo.
Madje, ajo ka pretenduar se ulja apo heqja e përkohshme e akcizës do të prekeshin disa pagesa për disa kategori të qytetarëve të Kosovës.
“Të hyrat e akcizës për buxhetin e shtetit janë afër 450 milionë euro, nënkuptojnë se në rast të heqjes së akcizës janë mangu 450 milionë euro vjetore, mujore 33 milionë euro. Nëse heq 20 cent nga 37.5 cent nga akciza për derivate i bie afër 20 milionë euro. Ndërsa në projeksionet për rritjet buxhetore është paraparë rritja e shtesave për lehona, për fëmijë, mbrojtja e qytetarëve me pakot për ballafaqimin e inflacionit. Çka po propozoni? Të heqim akcizën. Të ulim TVSH-në dhe cilën ta heqim prej masave. Këto të dyja në burim ndikojnë drejtpërdrejt vetëm tek operatorët”, ka deklaruar ajo.