Pas disa ditësh debatesh dhe paralajmërimesh për rrezikun e propagandës shtetërore, Komisioni i Pavarur i Mediave ka votuar me gjashtë vota për lejimin e një transmetimi eksperimental, vendim që lidhet me projektin e shumëdiskutuar për hapjen e Radios së Policisë së Kosovës.
Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka miratuar me gjashtë vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim kërkesën e Policisë së Kosovës për transmetimin eksperimental të “Radio Policia e Kosovës”.
Vendimi i hap rrugë testimit të mundësive teknike dhe programore përmes transmetimeve radiofonike, me synim informimin e qytetarëve për sigurinë në trafik dhe sigurinë publike.
Gjatë mbledhjes së KPM-së, ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv, Niman Racaj, ka sqaruar se kërkesa mbështetet në rregulloren për transmetimet eksperimentale, e cila u mundëson subjekteve të interesuara të testojnë teknologji të reja dhe forma të ndryshme të transmetimit.
Sipas tij, kjo procedurë nuk nënkupton licencimin e një mediumi të ri, por krijimin e mundësisë për testime të kufizuara, veçanërisht në aspektin e aktiviteteve komerciale.
Racaj ka theksuar se transmetuesit eksperimentalë nuk mund të konkurrojnë në tregun medial me radiostacionet dhe televizionet e licencuara nga KPM-ja, pasi rregullorja përcakton kufizime për aktivitetet e tyre komerciale.
Ai ka bërë të ditur se leja për transmetim eksperimental mund të jepet fillimisht për një vit, me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër. Gjatë kësaj periudhe synohet të testohet mbulueshmëria, të përmirësohet sinjali dhe të vlerësohen përmbajtjet që mund të ofrohen përmes formave të reja të transmetimit.
Duke folur për kërkesën e Policisë së Kosovës, Racaj ka thënë se qëllimi është ofrimi i informacioneve për trafikun dhe sigurinë publike, përmes shërbimeve të ngjashme me ato që funksionojnë në vende të ndryshme.
Ndërkaq, kryesuesi i KPM-së, Besnik Berisha, e ka vlerësuar këtë nismë si një mundësi të rëndësishme për të testuar funksionimin e lajmërimeve të trafikut përmes transmetimeve radiofonike.
Ai ka rikujtuar se kjo çështje është diskutuar edhe më herët në KPM, pas kritikave dhe ankesave të qytetarëve lidhur me mënyrën e transmetimit të njoftimeve të trafikut dhe kalimin automatik të sinjalit në kanale të caktuara.
Sipas Berishës, projekti pilot do t’i ndihmojë edhe vetë KPM-së të identifikojë mënyrat më efikase për rregullimin e këtij shërbimi dhe të vlerësojë mundësitë e bashkëpunimit me radiostacionet publike dhe private.
Ai ka përmendur disa modele të mundshme për organizimin e lajmërimeve të trafikut në të ardhmen. Njëra prej tyre parasheh që radiostacionet të vendosin vullnetarisht nëse dëshirojnë të transmetojnë njoftime të tilla, ndërsa një mundësi tjetër është përcaktimi i detyrimeve për stacione të caktuara, bazuar në kritere objektive.
Berisha ka përmendur gjithashtu mundësinë e krijimit të një sistemi të koordinuar në nivel kombëtar, përmes të cilit Policia e Kosovës dhe autoritetet përgjegjëse për rrugët do të ofronin informacione të verifikuara në një pikë të përbashkët, për t’u transmetuar më pas nga radiostacionet pjesëmarrëse.
Sipas tij, një sistem i tillë do të mundësonte informim më të shpejtë dhe më të koordinuar për qytetarët, por do të kërkonte protokolle të qarta institucionale, infrastrukturë përkatëse dhe përgjegjësi të përcaktuara për përditësimin e informacionit.
Si erdhëm deri te Radio Policia?
Historia e këtij projekti nuk ka nisur sot.
Më 9 korrik, KPM-ja kishte miratuar për konsultim publik një draft-rregullore për transmetimet eksperimentale. Konsultimi u zhvillua gjatë korrikut, ndërsa më 7 gusht Komisioni e miratoi rregulloren.
Sipas shpjegimit zyrtar të KPM-së, ajo synon të krijojë kushte për testimin e teknologjive, platformave dhe shërbimeve të reja mediale.
Por, mënyra e miratimit dhe përmbajtja e kësaj rregulloreje janë vënë në pikëpyetje nga juristja e medias, Flutura Kusari, e cila ka pretenduar se komentet e paraqitura gjatë konsultimit publik nuk janë marrë seriozisht në shqyrtim.
Më 9 tetor, KPM-ja publikoi agjendën e mbledhjes, ku në pikën e nëntë ishte përfshirë një kërkesë për lejimin e transmetimit eksperimental. Kjo pikë nxiti dyshimet se po përgatitej terreni për radion e Policisë.
Një ditë para votimit, Kusari e bëri publike çështjen, ndërsa Policia e Kosovës konfirmoi se ishte duke bërë përgatitje për hapjen e radios.
Çfarë tha Policia dhe pse kundërshtohet projekti?
Në përgjigjen për Nacionalen, Policia ka treguar se për këtë projekt ka konsultuar partnerë vendorë e ndërkombëtarë, duke përmendur edhe modelin e Radio KFOR-it.
Sipas Policisë, qëllimi është promovimi i punës së saj, komunikimi më i afërt me qytetarët dhe trajtimi i shqetësimeve të sigurisë në komunitet.
Megjithatë, nga përgjigjja e saj nuk janë sqaruar disa çështje thelbësore: sa do të kushtojë radioja, kush do ta drejtojë, kush do të marrë vendimet editoriale dhe çfarë garancish do të ketë për pavarësinë e përmbajtjes.
Flutura Kusari ka qenë ndër zërat më kritikë të kësaj iniciative.
Ajo ka paralajmëruar se një radio e financuar dhe e menaxhuar nga Policia rrezikon të kthehet në instrument të propagandës së pushtetit. Kusari ka ngritur gjithashtu çështjen e kostos financiare, duke përmendur një shumë që mund të arrijë rreth gjysmë milioni euro.
Për të, problemi nuk është komunikimi i Policisë me qytetarët, por nevoja për krijimin e një mediumi të ri shtetëror, kur ekzistojnë transmetues publikë dhe media të tjera përmes të cilave mund të shpërndahen informacionet e interesit publik.
Kritikave u është bashkuar edhe profesori i gazetarisë, Alban Zeneli, i cili ka ngritur shqetësimin për mungesën e kontrollit civil mbi një medium që do të menaxhohej nga një institucion policor.
Një precedent që mund të hapë rrugë edhe për institucione të tjera
Debati për Radio Policinë nuk lidhet vetëm me një frekuencë radiofonike.
Çështja është nëse një institucion që ka autoritet policor duhet të ketë edhe një medium të vetin, përmes të cilit prodhon dhe shpërndan përmbajtje për publikun.
Kritikët kanë ngritur pyetjen se çfarë do ta pengonte edhe një ministri, agjenci tjetër shtetërore apo institucion publik që të kërkojë radiostacionin e vet, duke përdorur të njëjtin arsyetim: informimin dhe afrimin me qytetarët.
Në këtë mënyrë, transmetimi eksperimental mund të krijojë një precedent me pasoja shumë më të gjera sesa hapja e një radioje të vetme.
Për më tepër, Policia e Kosovës tashmë ka mekanizma të komunikimit publik, përmes zyrave për informim, konferencave, komunikatave dhe platformave digjitale.
Prandaj, pyetja që mbetet është nëse qytetarët kanë nevojë për një radio të re të Policisë, apo Policia ka nevojë për një kanal ku vetë e kontrollon përmbajtjen që transmetohet për punën e saj.
Me gjashtë votat e sotme, KPM-ja i ka dhënë dritën e gjelbër transmetimit eksperimental.
Por votimi nuk i ka dhënë përgjigje debatit kryesor: kush do ta kontrollojë Radio Policinë dhe kush do ta kontrollojë atë që Radio Policia ua thotë qytetarëve?