Kryeministri Edi Rama ka pritur ish-presidentin e Francës, François Hollande, gjatë vizitës së këtij të fundit në Shqipëri.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, teksa ka postuar dhe foto gjatë takimit, Rama bëri të ditur se i ka akorduar ish-presidentit të Francës Medaljen e Artë të Mirënjohjes Publike, si shenjë vlerësimi për miqësinë, mbështetjen dhe kontributin e tij në forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Francës.
Kryeministri shpreh gjithashtu vlerësim për mbështetjen e vazhdueshme të Hollande në promovimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, si dhe për inkurajimin e rrugëtimit evropian të vendit.
“Kënaqësi dhe privilegj të mirëprisja Presidentin e Francës, François Hollande. Në shenjë mirënjohjeje për miqësinë, mbështetjen dhe kontributin e tij në forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Francës, pata nderin t’i akordoj Medaljen e Artë të Mirënjohjes Publike.
Vlerësim edhe për mbështetjen e tij të vazhdueshme në promovimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, për inkurajimin e rrugëtimit tonë europian dhe për besimin se vendi ynë ka një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në një Evropë të bashkuar”, shkruan Rama krahas fotove.