Gjatë podcastit të tij “Flasim”, kryeministri Rama paralajmëroi se shumë shpejt do të ketë lajme të mira për procesin e integrimit evropian, duke hedhur poshtë zërat se integrimi është ngadalësuar apo bllokuar. Kreu i qeverisë u ndal edhe tek skema e re e bujqësisë, duke shpjeguar se kjo skemë, për fermerët garanton më shumë mbështetje.
Kryeministri Rama garanton se procesi i integrimit europian jo vetëm që nuk është bllokuar, por se së shpejti qeveria do të dalë me lajme të reja. Tek kjo çështje u ndal gjatë podcastit të tij “Flasim” pasi pikëpyetjet mbi ecurinë e procesit të integrimit janë të mëdha për shkak se Brukseli ende nuk ka miratuar pikat e ndërmjetme për Shqipërinë.
“Është në vijë procesi më i rëndësishëm historik i anëtarësimit në Bashkimin Europian, me negociatat që vazhdojnë dhe, në ndërkohë, gjithçka që thuhet kur vjen puna te negociatat lidhet me gënjeshtrën e madhe se: ‘ato janë bllokuar’, ‘ato janë ndaluar’, ‘ato janë penguar’. Kjo punë e madhe e Shqipërisë vazhdon përditë e përditë e përditë dhe, së shpejti, përsëri, siç kemi pasur në procesin e hapjes së kapitujve, do të kemi lajme shumë të mira për të gjithë”, deklaroi kryeministri Rama.
Rama ka folur ditën e sotme edhe për miratimin disa ditë më parë të aktit normativ për uljen e akcizës së naftës me 20%, masë e cila sipas kryeministrit do të qëndrojë në fuqi deri në stabilizimin e tregut.
Shefi i Qeverisë shtoi se miratimi i aktit normativ për uljen me 20 % të akcizës për naftën hyn në fuqi menjëherë, kur çmimi i naftës kalon 220 lekë për litër dhe çmimi i benzinës 200 lekë për litër.
“Këtë javë kemi miratuar edhe aktin e premtuar normativ për uljen e akcizës së naftës, në momentin kur nafta, si pasojë e impaktit të luftës mbi tregjet ndërkombëtare, të kalojë limitin e 220 lekëve. Pra, ulja e akcizës me 20% është një masë që hyn në fuqi menjëherë kur çmimi i naftës kalon 220 lekë për litër dhe ai i benzinës 200 lekë për litër.
Këto pragje janë paracaktuar për të garantuar një ndërhyrje të drejtë dhe të balancuar në raport me zhvillimet e tregut, të cilat janë zhvillime që ne nuk i kemi në dorë, nuk jemi shkaktarë të tyre dhe nuk kemi as fuqinë që t’i ndalojmë, përveçse kemi detyrimin që t’i trajtojmë në funksion të amortizimit të goditjes së menjëhershme mbi konsumatorët, pa cenuar, nga ana tjetër, stabilitetin e financave publike në një kohë kur pasiguria në tregjet ndërkombëtare mbetet e lartë dhe po aq edhe dinamike. Masa do të mbetet në fuqi deri në stabilizimin e plotë të situatës ndërkombëtare”, shtoi Rama.
Ndërsa qeveria miratoi skemën e re të bujqësisë, por është kritikuar për heqjen e naftës në mbështetje të fermerëve, Kryeministri Rama sqaron se për fermerët do të ketë lehtësira të tjera.
“Skema rrit ndjeshëm mbështetjen për fermerët, jo thjesht në aspektin e volumit financiar, por edhe në aspektin e lehtësimit të kushteve për ta përfituar atë që çdo fermeri i takon nga skema. Për herë të parë përfshihen në skemë forma mbështetjeje të cilat nuk kanë qenë të përdorura deri më sot. forcon prodhimin vendas, sepse ky është një synim parësor, rrit konkurrueshmërinë duke krijuar më shumë mundësi dhe akses dhe, sigurisht, inkurajon përafrimin me standardet europiane”, tha Rama.
Që lufta kundër korrupsionit po tregon rezultate, sipas kryeministrit ka një tregues të rëndësishëm.
“Ekonomia provon se rritet pikërisht sepse ulet korrupsioni dhe ulen abuzimet, sepse këto të dyja bashkë nuk shkojnë përndryshe. Të ardhurat që kanë arritur në nivele të reja janë pikërisht rezultat i një administrimi shumë më efikas, me shumë më pak korrupsion dhe abuzim”, u shpreh Rama.
Mbledhja e të ardhurave për në buxhetin e shtetit sipas kryeministrit po bëhet me efikasitetin më të lartë, duke theksuar se vetëm në këtë periudhë pritet t’i shtohen buxhetit të shtetit mbi 1 mld euro të ardhura shtesë.